
Tedi Cara është një nga lojtarët që zhvilloi ndeshjen e fundit me Partizanin në Superiore. Kapiteni i të kuqve arriti të mbyllë aventurën e tij me kryeqytetasit në mënyrën më të mirë të mundshme, teksa ndaj Vllaznisë gjeti rrugën e rrjetës në fitoren 2-0.
Cara do të largohet jashtë Shqipërie për një aventurë të re. Sipas shtypit të shkruar bëhet me dije se Oleksandriya ka arritur marrëveshjen për transferimin e futbollistit, ekip që ndodhet në veendin e dytë në tabelën e klasifikimit në kampionatin ukrainas. Nga kjo marrëveshje Partizani do të përfitojë 230 mijë euro, teksa kanë edhe disa klauzola të veçanta në kontratë që pritet të rrisin çmimin fillestar.
Ndërkohë nga ana tjetër palët do të firmosin një kontratë 3.5 vite, ku Cara do të përfitojë 15 mijë euro në muaj. Në këtë mënyrë prezantimi i kavajasit në Ukrainë është çështje ditësh, me 24-vjeçarin që bën kështu edhe hapin e rëndësishëm në karrierë. Kujtojmë se këtë sezon me Partizanin ka luajtur në 21 ndeshje dhe ka arritur të shënojë 4 gola dhe të dhurojë edhe 2 asiste.