Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

SUPERIORE

“Nuk e kuptoj se për çfarë arsye jemi nervoz?!” Enkeledi Dobi “harron” krizën: Urime Vllaznisë për fitoren, duhet dhënë meritat kundërshtarit  

Shkruar nga NEWSPORT
“Nuk e kuptoj se për çfarë arsye jemi nervoz?!”
Enkeleid Dobi

Teuta po përjeton momentin më të vështirë në këtë sezon. Durrsakët nuk kanë asnjë fitore në 5 ndeshjet e fundit të Superiores, ndërsa humbja e sotme karshi Vllaznisë në “Niko Dovana”, e përkeqëson akoma më shumë situatën. Trajneri Enkeleid Dobi foli për mediat pas përfundimit të ndeshjes, duke treguar më shumë se çfarë nuk po funksionon te Teuta:

“Duhet të fillojmë duke i bërë urime Vllaznisë për fitoren, por duhet pranuar që në 10 minutat e para nuk ishim siç donim, siç e kishim përgatitur ndeshjen, kjo na dhemb pak, por kishim kohë të mjaftueshme të reagonim.

Mendoj që ekipi donte të reagonte, por nuk ishin të qarta disa veprime apo lëvizje. Më vjen keq se nuk e kuptoj se për çfarë arsyeje jemi pak nervoz. Në ato minuta ishim shumë nervozë, gjë që nuk e kam parë më parë tek ekipi, kjo më dhemb më shumë. Folëm, Teuta ka treguar gjithmonë karakter, edhe sot.

Pastaj përballë ishte ekipi më në formë, lider, kandidat për titull. Në ndeshjen e dytë ndaj tyre në Shkodër, e kishim përgatitur mirë e funksionoi. Sot nuk funksionoi për 15 minuta, bëmë ndryshime dhe rastet i krijuam, kemi dalë disa herë, veprimet duhej të ishin më të qeta e të sakta.

Kishim edhe një rast 100% më Runein, se edhe atë do e ndihmonte si edhe ekipin. Ekipi tentoi, vrapoi, luftoi, por duhet të jemi më të qetë me topin, më prezent, më këmbëngulës. Jam i sigurt se ky ekip ka më shumë cilësi se sa po tregojmë së fundmi.

Vllaznia ishte përgatitur në një mënyrë tjetër, ndoshta ne nuk u përshtatëm menjëherë në ato minuta, ndaj bëra edhe pushimin taktik që të bënim lëvizjet e duhura që ne filluam duke reaguar. Ndaj humbëm ndeshjen në ato minuta, reaguan çunat, por jo siç donim.

Tentuam, prodhuam lojë, por mungon konkretizimi, ciniku, vendosmëria, disa vendime sidomos në 20 metrat e fundit, të jemi më të vendosur, që të kërkosh golin e situatën. Krijuam disa raste, kanë qenë me pikatore, por e vumë edhe në trysni Vllazninë.

Por e thamë që po luajmë ndaj një ekipi që ka cilësi, duhet pranuar. Sot ishim të organizuar mirë, dispozitat ishin të mira, edhe mënyra si u mbrojt Vllaznia i duhen dhënë lëvdata. Por unë mendoj se disa situata mund t’i zgjidhim më mirë.

Kemi pasur ndryshime dhe duhet ndonjëherë të presësh automatizmat. Të rinjtë duan kohën e vet, ndoshta janë edhe pak konfuz, nuk njihen aq mirë me njëri-tjetrin, me cilësitë, kualitetin, lëvizjet, do pak kohë e për këtë arsye na mungonin këto veprime.

Sepse mendoj që prodhuam lojë, por në fazën sulmuese nuk jemi konkret, mungon sinkronizimi, koha e duhur, vendi i duhur, të gjitha veprimet. Në fillim ishim pak nervoz, të tensionuar, nuk e kishim përgatitur të na mbyllte Vllaznia se nuk është as stili ynë. Por ndodh ndonjëherë, u duhen dhënë meritat kundërshtarëve.

Ndaj nuk na funksionoi presingu i lartë, nuk funksionoi siç jemi përgatitur. Morëm golin dhe ky ishte ndëshkimi për mënyrën se si çunat e interpretuan ato 15 minuta. U fola të gjithëve, duke e nisur nga portieri që u futëm në tension. Ishte ndeshja e tretë me Vllazninë, i dinim anën pozitive dhe mangësitë që kanë.

Ja që ndodh, ky është futbolli, mësojmë, ecim përpara, gabojmë. Sot nuk duhet të gabonim, donim të reagonim e të dhemb, deshëm të kthehemi te fitorja, por ja që ndodhi”.

Poll

Lexo gjithashtu