Superiorja ditën e djeshme mbylli edhe fazën e dytë të kampionatit dhe tashmë kemi përpara gjysmën tjetër të sezonit. Tashmë ka pak “frymëmarrje” për futbollistët, të cilët do të kenë disa ditë pushime.
Por kjo nuk do të thotë se do të jetë e njëjta gjë edhe për stafet dhe klubet. Kjo pasi duhet teë ndërhyjnë në merkato dhe të përforcojnë ekipin me lojtarë cilësore për të përballur edhe pjesën e dytë të sezonit.
Madje për disa ekipe që kanë zhgënjyer në dy fazat e para të kampionatit, merkatoja e janarit konsiderohet si “shpëtimtari” i sezonit. Këtu mund të përjashtojmë vetëm 3 ekipet e kreut, të cilat po marrin edhe rezultate pozitive, ndërsa për skuadrat e tjera, duke përfshirë Tiranën, Partizanin, Teutën, Vllazninë, Bylisin, Vorën dhe Flamurtarin, ndërhyrjet në janar do të jenë vendimtare.
Madje te disa prej tyre largimet kanë nisur prej javësh dhe tashmë duhen përforcime cilësore për të plotësuar ekipin dhe për të përballuar 18 ndeshjet e ardhsme në kampionat.
