 
Partizani në këtë sezon është shumë larg pritshmërive. “Demat” kanë humbur “identitetin”, pasi nga një ekip që pretendonte për titullin kampion, e shikon veten duke luftuar për mbijetesën.
Superiorja ka mbyllur javën e 9-të të saj që përkon edhe me të fundit për fazën e parë. Kryeqytetasit ia kanë dalë të sigurojnë vetëm 8 pikë, më pak se 1 pikë për ndeshje. Aktualisht mbajnë vendin e 8-të në klasifikim.
Partizani është “grop” në këtë sezon dhe nëse e krahasojmë me të njëjtën fazë në sezonin e kaluar, ekipi i vjetshëm është me kilometra larg këtij aktualit. Kjo pasi në fazën e parë të sezonit 2024-2025, “të kuqtë” grumbulluan 17 pikë. Plot 4 fitore, 4 barazime dhe vetëm 1 humbje, ndërsa në këtë sezon kanë 2 fitore, 2 barazime dhe 5 humbje.
Por jo vetëm kaq, pasi sulmi është “blozë” fare. Vetëm 4 gola janë shënuar. Madje – madje vetëm 1 gol është shënuar nga një asksion i rregullt, pasi 2 realizime janë autogola dhe një tjetër ka ardhur nga gjuajtja e një penalltie.
Ndërkohë nëse shikojmë sezonin e kaluar patën shënuar 11 gola dhe pësuan vetëm 5 gola. Dhe sa i takon këtij sezoni, kanë nxjerrë topin nga porta në 13 raste.
 
                                 
                			                        
                			                        
                			                        
                			                        
                			                        
                			                        
                			                        
                			                        
                			                        
                			                        
                			                        
                			                        
                			                       
 
                			                        
                			                        
                			                       