Dinamo – Partizani është padiskutim supersfida e javës së 13-të të Superiores, përballje kjo që do të luhet ditën e nesërme në “Elbasan Arena” në orën 17:00. Kjo sfidë vë përballë dy ekipet e kryeqytetit në një derbi që premton spektakël si në fushë edhe në tribuna.
Ilir Daja është “arkitekti” i Dinamos, i cili prej 9 sfidash nuk e njeh humbjen. Nga Partizani te Partizani, Daja është një nga timonierët e pamposhtur në Superiore.
Gjatë kësaj periudhe ka fituar 4 ndeshje dhe ka barazuar në 5 raste, duke çuar Dinamon në vendin e 3-të në klasifikim me vetëm 1 pikë larg kreut të renditjes që mbahet nga Vllaznia dhe Partizani. Kjo e bën sfidën edhe më të luftuar dhe timonieri kryeqytetas do të luftojë për 3 pikët që janë shumë të rëndësishme për kreun e renditjes.