
Skënderbeu është klubi për t’u marrë shembull kur vjen puna te shitja e lojtarëve. Korçarët dinë si të mbyllin marrëveshje të rëndësishme që bujën e bëjnë kur zyrtarizohet gjithçka e jo zhurmë të madhe e më pas shifrat janë zhgënjyese siç ndodh rëndom.
Shembulli i rradhës ishte Franklin Ahanonu. Sulmuesi nigerian u shit për 450 mijë euro te Astana, ndërsa bardhekuqtë do të mbajnë edhe 20% të kartonit. Një marrëveshje për t’u duartrokitur kjo e presidentit Takaj dhe drejtuesve të klubit.
Në renditjen e shitjeve rekord të Skënderbeut, Ahanonu merr vendin e 4-të duke qenë larg podiumit. I pari është Peter Olayinka me 1.1 milionë euro, ndërsa 2 të tjerët janë Liridon Latifi e Kristal Abazaj që për ironi të fatit, do t’i kenë kundërshtar sot ndaj Tiranës.
Latifi u shit për 1 milionë euro, ndërsa Abazaj për 750 mijë, por e veçanta është që nuk luajti asnjë minutë me fanellën bardhekuqe.
