Egnatia – Teuta është dueli tjetër i ditës së sotme që do të luhet paralelisht me derbin mes Dinamos dhe Partizanit. Në “Egnatia Arena” do të sfidohen sërish mes tyre veç pak ditë pas duelit në Kupën e Shqipërisë.
Këtë herë sfidohen për llogaritë e javës së 27-të të kampionatit. Një takim shumë i luftuar mes skuadrave, të cilët do të kërkojnë fitoren në ndeshjen e fundit të fazës së 3-të.
Nëse për rrogozhinasit kjo do të jetë thjeshtë përballja e radhës, për durrsakët do të jetë një “malore”. Kjo pasi durrsakët nuk ia kanë dalë në asnjë ndeshje në këtë sezon të marrin fitoren ndaj kampionëve aktualë të Superiores.
Në 4 përballjet e kalaura mes tyre në këtë sezon mes Kupës dhe kampionatit, Egnatia ia ka dalë të fitojë 2 herë në kampionat dhe 1 në Kupën e Shqipërisë, ndërsa sfida tjetër çerekfinale mes tyre përfundoi në barazim, por rrogozhinasit kaluan në fazën tjeter falë fitores në çerekfinalen e parë mes tyre.
Ndërkohë ditën e sotme misioni i “Djemve të Detit” do të jetë të “thyejnë” këtë mallkim dhe të marrin fitoren e parë ndaj ekipit të Edlir Tetovës.
