Idriz Batha, Valentino Murtaj dhe së fundmi Lorenc Trashi nuk janë më pjesë e Flamurtarit. Tre lojtarë me eksperiencë të konsiderueshme në futbollin shqiptar, ku tanimë dy prej tyre janë pjesë e vëmendjes mediatike sportive në vend.
Dy mesfushorët dhe mbrojtësi i majtë kanë provuar të veshin fanelën e Partizanit vite më parë, duke qenë ndër të preferuarit e tifozërisë kryeqytetase. Batha dhe Trashi kanë luajtur për disa vite së bashku duke qenë titullarë absolutë tek të kuqtë, ndërsa Murataj iu bashkua për herë të parë Partizanit, kur drejtimin e skuadrës e mori Ilir Daja.
Eksperienca relativisht pozitive me Trashin dhe Bathën që lënë të kuqtë për të “udhëtuar” në ekipe të tjera, ndërsa Murataj tradhtohet nga dëmtimi duke humbur përfundimisht kryeqytetasit. Mallakastrioti i bashkohet Flamurtarit, aty ku gjen pikërisht dy ish beniaminët e kuq.
Megjithatë ky sezon duket se do të mbesë gjatë në memorien e tyre. I pari që e pësoi ishte Idriz Batha, i cili u largua nga skuadra pas përplasjes në skuadër. I dyti që zgjodhi të largohet ishte Murataj duke u rikthyer sërish te Partizani. Dhe në fund, Lorenc Trashi, për t’i vënë “kapakun” treshes që në kryeqytet konsiderohej “Garda e Kuqe”.
