
Tirana do të presë në “Air Albania” rivalët e përjetshëm të kryeqytetit, Partizanin. Bardheblutë dhe demat do të duelojnë mes tyre në arenën kombëtare, sfidë e vlefshme për javën e 33-të dhe do të startojë në orën 19:00.
Një supersfidë e cila vlen më shumë se 3 pikët, vlen për prestigj dhe krenarinë e një qytetit. Ekipi i Erbim Fagu vjen pas eleminimit nga Kupa e Shqipërisë dhe ndaj të kuqve do të synojë fitoren e parë në derbi për këtë sezon.
Timonieri i bardhebluve ka analizuar këtë përballje, teksa ka theksuar se ekipit të tij i bnë punë vetëm fitorja për të qëndruar në “Final – Four”. Lajm i mirë për Fagun është se do të ketë të gjithë grupin e lojtarëv të plotë dhe ndaj rivalëve do të ketë luksin e zgjedhjeve të më të mirëve.
“Vini nga eliminimi në Kupë, si përballeni me këtë derbi? Padyshim që na ka ardhur keq nga eliminimi nga Kupa, dhamë gjithçka për të shkuar në finale, por fati në atë ndeshje nuk ishte me ne. Tashmë çdo gjë është e fokusuar te kampionati dhe sigurisht te derbi ditën e nesërme, ku do të bëjmë të pamundurën të marrim tri pikë, si e vetmja alternativë për të vazhduar luftën për në “Final 4”.
3 derbi pa fitore, çfarë do të bëni ndryshe nesër? Nuk është se do të bëjmë diçka ndryshe nga javët e fundit, pasi kemi krijuar njëfarë stabiliteti në lojë, si në mbrojtje, por edhe ashtu si dalim para. Nesër do të jetë maksimumi i të gjithë lojtarëve, pasi na shërben vetëm fitorja, që do na shërbente shumë edhe për moralin e lojtarëve për vazhdimësinë në ndeshjet e mbetura.
Çfarë do iu thoni lojtarëve? Nuk mendoj se ka nevojë për një apel, pasi gjithsecili nga këta lojtarë e di shumë mirë rëndësinë e kësaj ndeshje. Kështu që kam besim se të gjithë do të japin maksimumin në derbi për të marrë tri pikët.
Gjendja e skuadrës? Momentalisht i gjithë grupi është i gatshëm për derbin. Ka pasur pak lodhje në ndeshjen e Kupës, por mendoj se këto ditë lojtarë kanë rikuperuar energjitë. Vetëm Najdovski ka pasur një problem dje gjatë seancës stërvitore, do ta shikojmë se si do të jetë gjendja e tij dhe pjesa tjetër është në rregull.
Derbi nuk luhet, por fitohet. A është ky motivi? Po, është e vërtetë, derbet luhen për t’u fituar, por edhe për faktin se na duhen patjetër tri pikët dhe për tifozët që do na mbështesin. Shpresoj shumë që nesër t’ia dalim”, ka theksuar Fagu.