I ftuar në emisionin "Rubrika Sportive" në RTSH, gazetari i sportit dhe drejtori i "Supersport", Ylli Aga është ndalur edhe tek shanset që Egnatia ka për të mbrojtur statusin e kampiones në fuqi.
Sipas tij, me lojtarët që kanë në skuadër, me në krye trajnerin udhëheqës, Nevil Deden, fati i këtij edicioni s'mund të shkruante skenarin më të mirë për rrogozhinasit, pavarësisht uljeve dhe ngritjeve këtë edicion. Aga bëri po ashtu dhe një përllogaritje të titullit kampion, duke shtuar se 4 skuadra do të luftojnë në garën e hapur për shumën e përcaktuar prej 1 milionë eurosh.
"Titulli kampion në Shqipëri kushton 1 milionë e gjysmë euro. Kjo është gjëja më e thjeshtë, ti kalon në turn atje dhe 1 milionë e gjysmë të vijnë në numrin e llogarisë. Tani 1 milionë e gjysmë janë afërsisht shpenzimet e gjithë sezonit. Ke luajtur gjithë sezonin për të ardhur deri këtu, ke 1 milionë e gjysmë që të presin. Tani vinë që mbyllin këtë kapakun dhe hapin një tjetër për të parë se cilat do të jenë skuadrat që do të luftojnë për verdiktin më të rëndësishëm, titullin kampion sepse pas disa vitesh këto gjëra do të harrohen, do të mbetet vetëm emri i kampiones.
Egnatia ka statusin e kampiones, ka një grup lojtarësh që kanë medaljen e kampionit aty. Kanë një trajner që e vlerësoj shumë, bazohet mbi punën e një trajneri që ka bërë punë fantastike. Është vetëm tri pikë larg nga të dyja. Mjafton të fitojë, si me njërën si me tjetrën. Domethënë edhe në skenarin më të mirë nuk mund ta shkruajë të tillë që ti me atë kampionat që ke bërë me kaq oshilacione të jesh sërish me mundësi, ja sheshi ja mejdani, ishalla po del dhe Çelo kapedani", u shpreh gazetari.
