Skuadrat e Superiores do të përballen mes tyre në kuadër të javës së 14-të të kampionatit. Sfida këto që janë parashikuar të luhen në 2 ditë, ditën e mërkurë dhe të enjte.
Saktësisht ditën e nesërme do të luhen 3 ndeshje, ku vëmendjen më të madhe e merr derbi i kryeqytetit. Kjo javë do të hapë siparin me 2 takimet e orës 16:30. Partizani do të presë Bylisin në “Arenën e Demave”, ndërsa Teuta do të përballet me Elbasanin në “Niko Dovana”.
Ndërkohë në orën 19:30 të gjithë do të jemi sy e veshë nga “Air Albania”, aty ku Dinamo do të përballet me Tiranën në derbin e 2-të mes tyre në këtë sezon.
Nga ana tjetër, 2 takimet e tjera të kësaj jave do të luhen ditën e enjte. Ishte parashikuar që dueli mes Vorës dhe Vllaznisë të luhen në stadiumin e Vorës në orën 13:30, por diçka e tillë nuk do të ndodhë. Kjo pasi ende stadiumi nuk është gati dhe klubet kanë vendosur që kjo përballje të zhvillohet të njëjtën ditë, por në “Loro Boriçi”, duke nisur që nga ora 16:30.
Paralelisht me këtë përballje do të zhvillohet edhe takimi i fundit mes Egnatias dhe Flamurtarit. Sfidë kjo e cila do të luhet në “Egnatia Arena” dhe pritet të jetë tepër e luftuar.
