Të mërkurën do të luhet java e 35-të e Superiores, me 10 skuadrat që do të zbresin në fushë për 90 minutat e parafundit të këtij edicioni sportiv. E megjithatë ajo që ofroi java e 34-të duket se ka lënë shije negative tek të gjithë kontribuesit e futbollit, siç është edhe Gerti Çarçani.
Një “jetë” në moderimin sportiv, Çarçani e mbylli mbrëmjen e djeshme të emisionit duke u shprehur: “Kokën hëngshin”. Një metaforë nga gazetari i njohur për të përshkruar në këtë mënyrë situatën në të cilën gjendet aktualisht futbolli shqiptar, me skuadra që janë në luftë për titull e mbijetesë, por siç duket lapsi e letra u ka humbur duke bërë tolerime apo “vëllazërore” në një kohë kur duhej të kishte xixa në fushë.
“Java e ardhshme e Superiores është mesjava, aty ku do të përplasen të gjithë, do të bëjnë xixa, në një mënyrë apo tjetër, në aspektin sportiv dhe metaforik të të shprehurit nga ana ime, kokën hëngshin”, thotë Çarçani.
Kujtojmë që java e 35-të e Superiores do të zhvillohet këtë të mërkurë, në orën 16:00. Ndërsa Çarçani na kujton shprehjen e kryeministrit Edi Rama që iu drejtua grupeve kriminale duke thënë: “Kokat e tyre hëngshin”.
