
Ndarja nga jeta e Tomorr Gjokës padyshim ka sjellë trishtim në botën e futbollit shqiptar e tiranas. Ish-legjenda e Tiranës dhe babai i trajnerit Ernest Gjoka, mbylli përgjithmonë sytë ditën e sotme në moshën 85-vjeçare.
Tomori lindi në Tiranë më 30 janar 1938 dhe që tek të rinjtë e ‘Tironës’ u mësua me trofe aty ku fitoi disa tituj kampionë. Lojtar i shpejtë dhe teknik, mjaft pozicion dhe me një nuhatje të shkëlqyer për gol, çka bëri që në vitin 1959 të bëhej pjesë e skuadrës A për t’u bërë më pas pjesë e rëndësishme e një epoke të artë bardheblu.

Në fakt, për shkak të shërbimit të detyruar ushtarak, Gjoka luajti për Partizanin deri më 1961, por më pas u kthye tek Tirana dhe prej sezonit 1962-1963 u bë lojtar kyç, me 27 gola që e bënë shënuesin më të mirë të kampionatit shqiptar në sezonin 1963-1964, ndërsa më pas golat ishin rutinë. Po ashtu, titujt kampionë, sepse Gjoka ngriti trofeun madhor në vitet 1965, 1966, 1968 dhe 1970.

Pas shumë reagimeve nga figura të sportit shqiptar, nuk mund të mungonte as ai i klubit të Tiranës të cilët me një postim në rrjete sociale i japin lamtumirën legjendës së tyre.
