
Vllaznia ka triumfuar në shtëpi përballë Elbasanit, duke marrë kështu kreun e Superiores. Sfida e vlefshme për javën e 6-të, përfundoi me shifrat 1-0 në favor të shkodranëve.. Pas këtij dueli ka folur trajneri fitues Edi Martini.
“Kisha shumë mungesa. Nuk iu përgjigja ndërrimeve të Elbasanit, pasi lojtarët që mungonin bëri që të binte ritmi në pjesën e dytë. E komplimentoj Elbasanin për pjesën e dytë. Por një ekip kompletohet edhe kur vuan, siç vuajtëm ne në minutat e fundit. Dua të përgëzoj djemtë për atë që dhanë në fushë. Kur dëgjoj tifozët të gëzohen, më bëhet zemra mal. Ndaj Vorës ishte vetkënaqësi, por krijuam raste. Sot në pjesën e dytë ishim seriozisht në vështirësi, por bravo djemve, meritë e tyre.
Para fillimit të ndeshjes ne kërkonim me Yagon shumë aksione. Si Mala dhe Kallaku duhej të vendosnin në vështirësi ekipin kundërshtar. E kishim planifikuar që të luanim në këtë mënyrë. Sot nuk ishte si në ditët e tjera për egoizëm kush shënon gol, por fati nuk ishte me ne. Pjesa e dytë ra, por nuk i dhamë shumë hapësira dhe mundësi kundërshtarit. Në 50 minutëshin e dytë, 2-3 herë na kanë sulmuar me raste.
Doja t’i godisja pas shpine me Kastratin pasi është lojtar shumë i shpejtë. Edhe Murataj që hyri në fushë s’kishte bërë stërvitje gjithë javën. Kuro dhe Bismark janë dy lojtarë të tjerë të rëndësishëm që mungonin. Lodhëm shumë dy sulmuesit për presing dhe fazë mbrojtëse. Ajo që më pëlqen është që nuk pësuam gol. Ajo që më “hëngri” gjithë këto javë është golin në minutën e 96-të përballë Teutës në Durrës.
Di të them, këtë që djemtë e bëjnë në ndeshje, e bëjnë çdo ditë në stërvitje. Mund të vini në stërvitje të shihni dëshirën e tyre. E përdorim shumë në stërvitje, janë gjithë kohës të përqendruar maksimalisht. Është meritë e tyre që bëjnë këtë lojë. Mund të shënonim 2-3 gola për të mbyllur lojën. Më gëzon që ishim superior përballë kundërshtarit.
Ka Martini kundërshtar me të cilin sheh garën deri në fund? Po kam një kundërshtar që është shumë i rrezikshëm, euforia, Vllaznia është më e rrezikshmja. Kam djem të pjekur. Duhet të mundim euforinë, shoh Vllazninë si kundërshtarin më të rëndësishëm”, tha Edi Martini.