
Dinamo arriti të mposhtë Bylisin me rezultatin 3-1 në “Elbasan Arena” në javën e 29-të të Superiores. Trajneri i Bylisit, Gentian Mezani doli në prononcim për mediat në fund të takimit.
“Më vjen keq sepse falëm dy gola, siç e shikoni golat i kemi bërë vetë. Dinamo po na presonte, e theksoj se goli i parë erdhi në ndërtim e sipër të një aksioni. Na gjeti në një moment të tillë, me cilësinë që ka kundërshtari të ndëshkon. Goli i dytë erdhi sërish nga një pakujdesi e jona, në 25 minutat e para ne nuk kemi qenë në lojë.
Më vjen keq sepse pas pësimit të golave fillojmë të jemi më kërkues dhe të dalim për të goditur kundërshtarin. Është një gjë që duhet ta analizojmë. Nuk jemi një skuadër që kemi kapacietetin të kthejmë një ndeshje. Duhet të jemi më të kujdesshëm në fazën difensive dhe të kërkojmë të shënojmë, çdo pikë tashmë na bën jashtëzakonisht mirë.
Pas pësimit të golave në ato minuta, psikologjikisht të vrasin, por ana psikologjike duhet të jetë që në fillim dhe lojtarët të futen në lojë me besim. Në këtë fazë të kampionatit, skuadra duhet të jetë më toleruese nga ana psikologjike. Këto ndeshje që kanë mbetur minimalisht t’ia bëjmë më të vështirë kundërshtarit.”, u shpreh Mezani.