
Ardit Toli ishte një titullar i padiskutueshëm i Tiranës në sezonin 2021-2022 kur bardheblutë shpalleshin për herë të fundit kampion të Superiores. Erdhi si mbrojtës i djathtë, por Orges Shehi e transformoi në një mesfushor ‘6-sh’ para mbrojtjes që rezultoi në një nga vendimet më të mira të teknikut durrsak.
Toli shkëlqeu në atë pozitë përgjatë gjithë sezonit e më pas u shit në Ukrainë për 120 mijë euro te Vorskla Poltava, si ‘paketë’ me tre shokë të tjerë: Taulant Seferi dhe Ennur Totre nga ku Tirana përfitoi rreth 800 mijë euro në total.
Pas 2 sezoneve në Ukrainë, 26 vjeçari del si lojtar i lirë në merkato pasi i skadoi kontrata. Pasi mbylli aventurën atje, ai është rikthyer në Shqipëri. E ardhmja mbetet pikëpyetje, por një rikthim te Tirana qëndron gjithnjë në horizont.
Bardheblutë do të ndryshojnë me themel organikën dhe një kampion si Toli është gjithnjë i mirëpritur sidomos tani që po përflitet për shitjen e Ermal Metës që ishte i vetmi ‘6-sh’ i skuadrës. Mbetet për t’u parë nëse drejtuesit do të hidhen në sulm për ish-futbollistin e Shqipërisë U21.
