Tirana dhe Teuta kanë barazuar në sfidën përmbyllëse të javës së 17-të të Superiores. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Arena Kombëtare”, përfundoi në barazim pa gola, 0-0. Pas kësaj sfide ka folur “Lojtari i Ndeshjes”, mbrojtësi i Teutës, Antonio Marku.
“Sot shumë veta prej ekipit tonë mund të ishin shpallur më i miri ndeshjes, si Preknicaj apo Boci, por faleminderit për këtë trofe. Kjo ndeshje e sotme ishte e vështirë dhe e rëndësishme. Këtu është një fushë e vështirë dhe të dy ekipet ishim në krizë pikësh. Nëse nuk ke humbur mund të thuash që është okej barazimi, por këto barazime duhet të kthehen në 3 pikët.
Fitoret janë ato që do të na nxirrnin nga kjo krizë pikësh. Unë jam i kënaqur, por e mira nuk ka fund. Unë kam ardhur këtu për të ndihmuar ekipin, kur ka nevojë për mu. Dhe besoj që nuk e kam lënë kurrë ekipin në baltë. Për aq kohë sa më jepet besimi i stafit, gjërat e tjera nuk kanë rëndësi.
Ka disa vite të mira që unë luaj në qendër të mbrojtës si me 3 apo 4. Edhe kur kam ardhur këtu te ekipi dhe kam biseduar me profesorin, kam thënë që në qendër është pozicioni im, por unë do të jap maksimumin tim kudo”, është shprehur Marku.