
Vllaznia do t’u japë pasdite dorën e fundit përgatitjeve para përballjes me Partizanin. Duel ky që do të luhet nesër në “Loro Boriçi” në orën 16:30.
Para këtij takimi ka folur Thomas Brdaric. Timonieri ka analizuar këtë përballje, ku ka theksuar se gjithmonë objektivi i skuadrës së tij është të fitojë. Kjo javë sipas Brdaric do të jetë shumë vendimtare pasi sfidohen 4 ekipet e “Final – Four”.
“Nesër është ndeshje e madhe kundër Partizanit, duhet të jemi sa më të përgatitur. Çfarë duhet të shohim nga ndeshja e fundit, nga minuta e parë të jemi sa më të qartë si duam të luajmë dhe të vëmendshëm. Nesër luajmë para tifozëve tonë dhe objektivi është vetëm fitorja. Ta dimë ku janë anët e forta të Partizanit dhe pikët e dobëta, që t’i përballojmë në mënyrë sa më profesionale.
Kjo situatë do të shkojë deri në fund, e shikoni që 3 ekipet e para janë shkëputur më tepër. Do të jetë deri në fund të sezonit për vendin e dytë apo të parë, por kryesorja nuk është ajo, por si ekipi do të luajë me topin dhe pa topin. Punojmë çdo ditë, do marrim shtysë nga ndeshja e kaluar dhe jam i gatshëm për fitore nesër.
Ndonjëherë më e zgjuar të marrim barazim, por gjithmonë objektivi është të fitojmë ndeshjet. Të jemi të përqëndruar dhe disiplinuar dhe të punojmë sa më fort për suksesin. E dimë që në ndeshje të ngushta më mirë për të marrë 1 pikë, por ne gjithmonë shkojmë për fitoren.
Ndeshen 4 ekipet e “Final Four”, do jetë vendimtare për në vazhdimësi, por ne shohim veten tonë. Punojmë çdo ditë, kemi pasur shumë seanca rikuperimi se ndeshjet janë të shpeshta. Duhet të kemi parasysh se duhet të kemi balancë të mirë mes ngarkesave që marrim dhe rikuperimit, kështu do vazhdojmë deri në fund të sezonit me shumë punë që të arrijmë objektivat.
Duhet të rrisim aspektin e mbrojtjes. Nuk është vetëm te qendërmbrojtësit. Në varësi ku rrijmë në fushë, mënyra e presingut që bëjmë. Do të luante më tepër minuta nëse nuk do të merrte kartonin e verdhë në pjesën e parë. E kemi zëvendësuar që ta ruajmë. Kemi pasur probleme në mbrojtje, është te mënyra e ekipit si bën presing lart. Kur jemi presing lart, situata është 50-50 se kundërshtari luan topin e gjatë dhe ne duhet të fitojmë duelet vendimtare për këtë.
Çoba? Jemi sa më fleksibël, lojtarët sakrifikojnë. Kryesorja është të jenë me shumë pasion në fushë. E kam parë në formë, edhe ai bën gabime, por më pëlqen sjellja e tij në fushë. Duhet të bëjmë punën tonë në secilin pozicion dhe çdo gjë do jetë në rregull. Rrezikuam pak me Malën dhe Çobën si mbrojtës krahu, por arriti të dalë mjaft mirë.
Momenti i keq i Partizanit? Duhet ta marrim këtë moment në avantazhin tonë. Partizani kurrë nuk duhet të nënvlerësohet, ekip i madh me mjaft cilësi. Ndryshuan trajnerin, patën probleme për të zgjidhur dhe duhet të përdorim mundësitë, të shënojmë, të mbajmë portën e paprekur dhe të marrim pikë nesër.
Mensah? Më pëlqen që kemi opsione në sulm. Thuajse të gjithë janë gati të luajnë, po ashtu edhe Kahrimanoviç ka filluar të stërvitet me ekipin. Repaj është pak më mbrapa. Kemi konkurrencë të mirë për 11-shen.
Delaj? Më pëlqen Delaj, është djalë i mirë, me shumë potencial, por ka konkurrencë të fortë në ekip. Kemi Grudën, Malën, Çobën, Dodën dhe Maliqin, duhet të shtyjë, të japë diçka dhe të mbijetojë, në disa raste nuk mund ta konsiderojmë si opsion. Këto lojtarë duhet t’i mbështesim sa më tepër, t’i kemi sa më afër 11-shes, t’i tregojmë mundësitë që të jetë sa më i motivuar. Na duhet secili deri në fund, sezoni është i gjatë. Kemi dhe 9 ndeshje kampionati, të Kupës, por dhe në “Final Four”. Janë shumë ndeshje, lojtarët duhet të jenë sa më të përgatitur, të japin maksimumin në fushë, në stërvitje dhe në kompeticione. Nëse tregon fytyrën e duhur, ai do të luajë”, ka përfunduar timonieri gjerman.