
Futbolli shqiptar mori ditën e sotme një lajm mjaft të trishtë për ndarjen nga jeta të ish-futbollistit lushnjar, Altin Çuko. Hemorragjia cerebrale i mori jetën ish-sulmuesit në moshën 50-vjeçare, duke lënë pas një dhimbje të madhe.
Ai kishte një karrierë të pasur edhe në Lushnjën e tij, por momentin më të bukur e kaloi tek Laçi. Pikërisht me fanellën e kurbinasve në sezonin 1995-1996, Çuko ia doli që të fitonte “Këpucën e Artë”, duke dalë kryegolashënues i Superligës së Shqipërisë.
Asokohe, Çuko shënonte plot 21 gola, ku 16 prej tyre me fanellën e Laçit. Ndërsa 5 të tjerë me Tomorin e Beratit, me të cilët ishte aktivizuar gjatë një periudhë të shkurtër po atë sezon, më saktë në fazën e parë. Në atë vit, në garën për “Këpucën e Artë”, lushnjari la pas një futbollist me cilësi si Shpëtim Kateshi.
Çuko mbante rekordin tek Laçi deri në vitin 2020, para se nigeriani, Kryian Nwabueze të shënonte 24 gola me kurbinasit. Megjithatë, Çuko mbetet një nga legjendat e futbollit sin ë Lushnjë, Laç dhe gjithë Shqipërinë.