
Tirana dhe Bylis kanë barazuar në ndeshjen e vlefshme për javën e 31-të të Superiores. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Arena Kombëtare”, përfundoi me rezultatin e barabartë 2-2. Në përfundim të këtij dueli ka folur trajneri i Bylisit, Gentian Mezani.
“Unë mendoj që duhet të jemi të kënaqur edhe për lojën që interpretuam. Ishte hera e parë që luanim 4-2-3-1, që kur erdha unë. Duhet të shohim dhe gjërat negative, për t’u përmirësuar. Janë edhe 5 finale për ne dhe na duhet që të shikojmë përpara. Sistemi i Tiranës dhe lojtarët që kishin në dispozicion po lidheshin me njëra-tjetrën. Si Abazaj dhe Përgjoni kanë bërë me përpikmëri detyrat që u kemi dhënë gjatë javës, edhe pse me gabime të vogla. Kishim një sërë arsyesh se përse ndryshuam sistemin.
Kalendari? I dimë vështirësitë që kemi në këto ndeshje, por edhe sot dhe me Lacin nuk ka qenë e lehtë. Ky është kampionati shqiptar. Është bërë një kampionat shumë emocional dhe i fortë. Sot gjetëm një Tiranë shumë të fortë dhe morëm pikë. Kemi Egnatian, Vllazninë dhe Elbasanin. Por do të bëjmë më të mirën e mundshme. Do të sakrifikojmë deri në fund për të arritur objektivin”, u shpreh Mezani.