
Egnatia do të përballet me Partizanin të dielën në orën 19:00 në Air Albania në finalen e madhe të Superiores. Një duel i shumëpritur mes absolutisht dy ekipeve më të mira të këtij edicioni ku fituesi do të ngrejë lart titullin kampion.
Ndryshe nga të kuqtë, Egnatia kërkon të parin titull dhe emocionet janë të mëdha. Jeshilët po përjetojnë momentin më kulminant në historinë e tyre dhe suksesi i klubit të futbollit ka ndikuar sigurisht edhe në qytet.
Rrogozhina është në festë, Rrogozhina është ‘kryeqyteti’ i këtij edicioni futbollistik në Shqipëri. Prej muajsh me rradhë kryesuan renditjen e tani vjen momenti final për të thënë fjalën e fundit. Qytetarët ndihen krenar nga suksesi i djemve të ekipit dhe në 2 vitet e fundit kanë qenë të shumtë në shkallët e stadiumit.
Klubi prej javësh bën thirrje për ndihmën e tyre në finalet e Final Four dhe ata u janë përgjigjur. Ndaj Vllaznisë ishin të shumtë në numër, të paktën për aq sa mund të kontribuojë një qytet i vogël ku jetojnë 22 mijë banorë.
Së fundmi, klubi ka marrë një iniciativë duke kërkuar ndihmën edhe të fqinjve përreth. Në qytetin ‘simotër’ në Kavajë e në komunën e Divjakës, klubi ka hapur stenda në të cilat shesin biletat për ndeshjen finale me Partizanin. Dy vende fqinjë që ndajnë shumë tradita e kulturë të përbashkët, me histori të ndërthurur brez pas brezi duke u gjendur shumë pranë njëri-tjetrit.
Biletat vijojnë të jenë në shitje, e do të vazhdojnë deri në startin e ndeshjes. Tifozët e Egnatias do të pozicionohen në tribunën S (pas porte), dhe në atë ‘karshi’ që zakonisht përbëhet nga tifozë e dashamirës të thjeshtë të përbashkët për të dy ekipet.
View this post on Instagram