
Komisioni i Disiplinës nxorri dje vendimet sa i takon disa çështjeve ku një ndër to ishte dhe gjyqi mes dy klubeve të kryeqytetit. Tirana dhe Dinamo ndodhen në proces gjyqësor, por Disiplina ka miratuar vendimin e saj për të zgjidhur konfliktin.
“Molla” e sherrit është Jordi jaku. Talenti i cili debutoi me gol tek Bologna në Itali dhe premton shumë për të ardhmen ka zhytur në procese administrative dy rivalët e kryeqytetit. Lezhjani ka qenë pjesë e dinamovitëve para transferimit në anën tjetër tek bardheblutë.
Tirana për këtë lëvizje ka detyrim të shlyejë taksën e formimit.. Detyrimi financiar shkon në vlerën 25 milionë Lekë. Vendimi i marrë nga komisioni pranë FSHF thellon dhe më tepër situatën pasi Tirana duhet të paguajë blutë brenda 1 muaj.
Vlera monetare e madhe si dhe afati kohor i lënë në dispozicion ndërlikojnë shumë situatën për klubin e Shkëmbit. Mbetet për t’u parë se cila do të jetë rruga që do të ndjek në vazhdim klubi i Halilit në lidhje me këtë çështje mes dy klubeve të Superiores për një ndër talentet më të mëdha të vendit.