
Derbi mes Partizanit dhe Dinamos është kryefjala e kësaj jave. Emocionet e kësaj ndeshjeje kanë “kapluar” kryeqytetin prej ditësh, ndërsa shtohen akoma më shumë kur jemi vetëm 1 ditë para këtij dueli.
Një sfidë që premton spektakël si në fushë edhe në tribuna, duel ky që do të luhet në “Arenën e Demave” ditën e nesërme, duke nisur që nga ora 17:00. Një sfidë e cila përjetohet ndryshe nga futbollistët që kanë mbajtur veshur fanellat e tyre.
Një i tillë është Edvan Bakaj. Ish-gardiani i portës madje ka shkruar emrin e tij me “germa të arta” në historinë e futbollit si portieri i parë që ka mbajtur veshur fanellën e 3 ekipeve të kryeqytetit, Tiranës, Partizanit dhe Dinamos.
E padiskutim që nuk mund të mungonte as në këtë përballje. Në një intervistë për “Newsport.al”, Bakaj ka treguar emocionet dhe ka analizuar ekipet e këtij sezonit.
"Vazhdon të ndjekë Bakaj kampionatin shqiptar? - Po sigurisht, vazhdoj ta ndjek Superioren dhe Kategorinë e Parë. Tashmë prej 2 vitesh jam pjesë e Dinamos si trajner te Akademia.
Jemi vetëm 1 ditë para derbit Partizani – Dinamo. Çfarë emocionesh ju vijnë kur kujtoni këtë përballje? -Ndeshjet mes Partizanit dhe Dinamos gjithmonë kanë dhuruar emocione dhe spektakël si në fushë edhe në tribuna. Normalisht tani që e kujtoj emocionohem dhe më kujtohet spektakli i atyre ndeshjeve. Janë të pashpjegueshme emocionet që përjeton në këto lloj ndeshjesh.
Keni luajtur me të dyja skuadrat keni përjetuar emocionet e derbit në të dyja krahët. Çfarë do të thotë për ju kjo sfidë? -Gjithmonë derbet janë ndeshje shumë të luftuara, ku spektakli nuk mungon. Janë sfida ku nuk mund të dish asnjëherë se çfarë mund të ndodhë. Unë personalisht janë shumë i lumtur dhe me fat që kam përjetuar këtë sfidë me fanellat e të dyja skuadrave.
Si i keni parë Dinamon dhe Partizanin në këtë sezon? - Të dyja skuadrat në këtë sezon kanë bërë ndeshje relativisht të miraa. Aktualisht janë me pikë të barabarta në klasifikim dhe kjo tregon se kjo sfidë do të jetë edhe më shumë e luftuar. Vazhdoj e theksoj se derbi mbetet derbi dhe këto ndeshje janë të paparashikueshme.
Dinamo e Ilir Dajës apo Partizani i Aleksandar veselinovic, cilën skuadër do e mbajnë “gjunjët” deri në fund? - Të dy trajnerët kanë eksperiencë dhe vizion të qartë. Gjithçka do të varet nga mënyra se si do të menaxhojnë presionin dhe si do të reagojnë në momente të veçanta dhe kritike gjatë ndeshjeve. Nuk ëshgtë e lehtë të parashikosh pasi futbolli është i paparashikueshëm. Por mesa kam parë deri tani dhe me situatat që kanë kaluar besoj se të dyja skuadrat i kanë gjunjët e fortë dhe do të jenë rivale deri në fund për titullin kampion.
Dinamo nuk ka arritur këtë sezon asnjë fitore ndaj Partizanin, çfarë do t’iu këshilloje “Bluve” për të shkuar drejt fitores? - Do t’u këshilloja që të ruajnë qetësinë dhe të jenë të disiplinuar taknikisht. Të përqendrohen në shfrytëzimin e rasteve që do t’iu krijohen.
Kalojmë pak te Tirana, pasi keni luajtur edhe me bardheblutë. Çfarë nuk po shkon siç duhet sipas jush me Tiranën pasi rrezikojnë rënien në Kategorinë e Parë? - Tirana është e vërtetë që po kalon nëj periudhë aspak të mirë. Gjenden në një periudhë të vështirë si në aspektin teknik edhe psikologjik. Duhet të fokusohen më shumë te bashkëounimi ekipor dhe teknik dhe të gjejnë frymëzimin për të dalë nga situata.
Partizani, Tirana apo Dinamo, cilin ekip të kryeqytetit do të zgjidhnit? - Është shumë e vështirë të zgjedhësh. Secila skuadër ka rëndësinë e vet dhe vendin e vet në karrierën time. Fatmirësisht me të 3-ja ekipet e kryeqytetit që kam luajtur mbaj kujtime të bukura. Unë vendos të respektoj historinë dhe tifozerinë e klubeve dhe kështu që zgjedh më mirë të jem NEUTRAl.
Kush e fiton derbin e së shtunës? - Në derbi gjithçka mund të ndodhë dhe shpeshn herë fati luan një rol shumë të madh dhe të rëndësishëm. Ekipi që do të jetë më i përqendruar dhe më i përgatitur emocionalisht sipas meje ka më shumë shanse për të fituar. Kështu që për mua fitoftë më i miri.
Cili lojtar mendoni se do të vendosë fatet e këtij takimi? - Do të varet nga forma e lojtarëve kryesorë të të dyja ekipeve. Në derbi shpesh herojntë dalin nga situata të papritura, ndaj nuk do të veçoja një emër të vetëm.
Do ta ndiqni këtë takim nga shkallët e stadiumit? - Nëse do të më jepet mundësi sigurisht që do ta ndjek nga stadiumi për të ripërjetuar edhe njëherë emocionet e një ndeshje të tillë dhe për atmosferën e jashtëzakonshme që krijohet nga tifozët. Nëse jo, sigurisht që do ta ndjek me interes nga larg". / Floridona ADEMAJ/