
Mbrëmja e djeshme ishte e zjarrtë në panelin e emisionit "Skaner" të drejtuar nga Gerti Çarçani. Partizani ishte një nga temat kryesore, ku ndër të tjera, u diskutua largimi i Ilir Dajës në periudhën që drejtonte të kuqtë.
Teksa po flitej për punën e mirë të trajnerit kryeqytetas me Dinamon, nga ana tjetër analizohej edhe ecuria negative e të kuqve. Në një moment u tha: "Daja dha dorëheqjen pikërisht prej mungesës së rezultateve".
"Jo, Dajën e hoqi Olsi (Rama)", ndërhyri Gert Çarçani që ishte i bindur me fjalët e tij.
Në të njëjtën linjë nuk ishte Gjergj Stefa që iu kthye: "Jo more, Daja ka dhënë dorëheqjen".
Por, Çarçani e theksoi sërish që drejtori i përgjithshëm i Partizanit e kishte larguar nga posti i trajnerit. Megjithatë, kujtojmë që në atë vit, ishte klubi i kuq që zyrtarizonte divorcin duke treguar se trajneri Ilir Daja kishte paraqitur dorëheqjen te presidenti Gaz Demi.