Dinamo dhe Elbasani kanë barazuar mbrëmjen e sotme në ndeshjen e vlefshme për javën e 12-të të Superiores. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Air Albania”, përfundoi me shifrat 1-1. Pas këtij dueli foli trajneri i kryeqytetasve, Ilir Daja.
“Në pjesën e parë me rastet që kishim duhet të kishim kaluar më shpejt në avantazh. Kishim disa situata me goditjet standarde, që na dolën ashtu siç i kishim përgatitur. Por që kishim edhe zotërimin e fushës, kishim edhe situata të tjera. Sigurisht që kemi disa të dëmtuar, një nga këto është Guindo, lojtari tipik për të çuar topin në rrjetë. Farruku ka sakrifikuar sepse në pushim të ndeshjes tha që nuk jam mirë pas përplasjes te rasti i penalltisë. Kemi futur një 18-vjeçar dhe një 19-vjeçar, James dhe Mustafa, kemi përdorur të gjithë potencialin.
Edhe Qardaku ka bërë shumë mirë. Stadiumi ishte mjaft i mirë, luhet mirë futboll. Kishte ritëm. Mungesa e lojtarëve me eksperiencë janë për administrim. Por humbëm energji, na vjen keq për mosshënimin e rasteve, por rezultati më i drejtë ishte barazimi. Ne po punojmë edhe me lojtarët e rinj që na kanë ardhur për finalizimet, kjo është pjesë individuale. Të kemi të paktën 1 apo 2 sulmues me eksperiencë në merkaton e janarit. Do të kemi probleme sepse është periudhë që nuk na sjell lojtarë shumë cilësorë. Guindo është për momentin i dëmtuar. Kemi Farrukun, kemi Berishën duan kohën e tyre, hera e parë që luajnë në Superligën shqiptare.
Duke parë që Elbasani në një pjesë të madhe të lojës mbrohej 4-1-4-1. Të dyja krahët ishin vertikalë, shfrytëzuam koridoret, me Berishën mund ta bënim akoma më mirë. Po t’ju kujtohet pjesa e dytë me Vllazninë, luajti në ato zona aty. Për ta përfunduar, neve sot në fazën e sulmit mungoi eksperienca. Berisha e ka, ndoshta s’është lojtar goli, por mund të nxjerrë të tjerët për shënim. Dalja e tij me lojtarët e tjerë që kishim në dispozicion, krijoi shumë problem.
Jam konsultuar me stafin disa herë për kohën e zëvendësimeve. Ajo që na shqetësonte ishte fakti që na dilnin markuesit në goditjet standarde. Edhe James, edhe Mustafa janë lojtarë të rinj që s’bëjnë dot atë që bëjnë Qefalija apo Qardaku në goditje standarde. Për Mustafa hera e parë që futej në ndeshje me ekipin e parë. Edhe James ka pak minuta, për këto gjëra vonuam ndërrimet, derisa mbajtë në lojë lojtarët që dhanë maksimumin. Ndoshta mund të kishim tentuar më përpara. Por mund të rrezikonim shumë. Ndonjëherë duhet rrezikuar për të fituar”, tha Ilir Daja.
