Tirana ka fituar në shtëpi përballë Vllaznisë, në ndeshjen e vlefshme për javën e 35-të të “Abissnet Superiore”. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Selman Stërmasi”, përfundoi me shifrat 1-0. Pas këtij dueli ka folur zv.trajneri i shkodranëve, Ergi Borshi.
“Është një ngërç psikologjik që na ka kapur. Që pas humbjes me Dinamon e kemi përjetuar. Në momentin që do të gjejmë fitoren e parë sa më shpejt, që këtë javë me Flamurtarin. Të gjithë ne do ta lirojmë presionin, për t’u bërë gati më pas për ndeshjet e Final Four.
Ne sot nuk u futëm në fushë për presingun që bëjmë gjithmonë. E pritëm ekipin në bllok të mesëm. Tirana ishte në presion të pikëve dhe të fitores. Menduam që Tirana do të hidhej në sulm dhe ta zinim me kundërsulme. E vuajtëm pak presionin e Tiranës, me një penallti që nuk kam komente. Cjapi është një nga arbitrat më të mirë në Shqipëri, por ajo që bëri sot nuk tregon nivelin e tij.
Nuk na qetësojnë as shqetësojnë kundërshtarët, por vetëm vetja jonë. Të bëjmë atë që dimë të bëjmë më mirë. E kemi thënë shpesh që shohim vetëm veten tonë. Shqetësuese është fakti që nuk kemi marrë pikë, të kthehemi shpejt tek lojërat e fillimit”, tha Borshi.
