
Bylis dhe Egnatia kanë luajtur ditën e sotme sfidën e vlefshme për javën e 14-të të Superiores. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Adush Muça” të Ballshit, përfundoi 0-2 në favor të miqve. Pas kësaj sfide ka folur trajneri i Bylisit, Nevil Dede.
“E dinim që kundërshtari ka një armë të fortë zotërimin e topit dhe tranzicionin pozitiv. Munguam në dy momente. Mundë të them që përsa i përket ndeshjes, komplimente djemve si u përballën me kampionët në fuqi. Ajo që më vjen keq është se duhet të besojnë më shumë te vetja dhe cilësitë që kanë. Nuk i gjej shkaqet e humbjes.
Nuk pashë diferenca në fushë. E kam thënë që në fillim, kam ardhur me dëshirën për të punuar dhe stërvitur këta djem. Menaxhimi i atij që i bie fyellit, nuk e di si qysh tek. Nuk e di kush i sjell, si i sjellin.
Në menaxhimin e ndeshjes gabuam ne, por është një pjesë e rëndësishme që i bie bilbilit. Nuk jam i duhuri për të thënë gabimet e arbitrit dhe të merrem me ta pasi jam trajner dhe kam profil që s’dua ta gjej fajin diku tjetër, por te vetja dhe skuadra jonë. Të gjitha këta e kuptojnë, çdokush që merr vesh nga futbolli.
Sot më vjen keq për pikët. Theksi që ne duhet të rritemi, duhet ta bëjmë psikologjikisht dhe moralisht. Gabimet e vogla në një skuadër të re, bën që të mos marrësh pikë, ose atë që ti meriton në të vërtetë.
Lojtarët e huaj në 7 të tillë? Mendoj që me 7 lojtarë të huaj si është ndërtuar kjo skuadër... Bylis ka shumë lojtarë të huaj do mundohemi t’i menaxhojmë. 7 të huaj na japin më shumë oksigjen në vetë formën dhe strategjinë si është krijuar kjo skuadër. Disa lojtarë po bëjnë mirë, por po na penalizojnë pikët”, tha Dede.