Fitorja në derbi përballë Dinamos e katapultoi Partizanin në vendin e katërt, duke parakaluar kështu rivalët e drejtpërdrejtë me tre pikë më shumë në garën për “Final Four”.
Një rezultat mëse i drejtë për “Demat” të cilët e shohin veten në pozita të favorshme për të tentuar diçka më shumë në fazën e mbetur të kampionatit. Suksesi në "Air Albania" ishte i pesti radhazi në kampionat për "Të Kuqtë", një dëshmi se skuadra e drejtuar nga Oltijon Kërnaja nuk i trembet askujt, dhe vazhdon kështu marshin drejt ëndrrës europiane.
37-vjeçari ka arsye të mëdha për të festuar këtë moment në kampin e të kuqve, pasi që prej ardhjes së tij në stol, Partizani ia ka dalë të marrë plot 35 pikë, 1.75 pikë për ndeshje. Pasi mori një skuadër të ndodhur pranë zonës së ftohtë, Kërnaja ia ka dalë të mbyllë gojët e skeptikëve falë nivelit të lojës në fushë dhe rezultateve pozitive në kampionat.
Kërnajës iu besua “timoni” e Partizanit në tetor të vitit 2025, pas largimit të trajnerit serb Milinkoviç, i shkarkuar pas derbit të humbur ndaj Tiranës. Ndaj dhe presidenti Gaz Demi, ka një shkak për t’iu gëzuar vendimit për të përzgjedhurin e tij në stol.


