
Egnatia do të presë në shtëpi ditën e diel Teutën në orën 17:00 për të zhvilluar sfidën e javës së 27-të të Superiores. Në prag të kësaj sfide, trajneri i ekipit rrogozhinas Edlir Tetova doli në konferencë për shtyp për mediat.
“Vijmë nga një kualifikim, për herë të tretë jemi në gjysmëfinale dhe vazhdojmë përprara për atë që do të ndodhë. Grupi ka mungesa, por çunat që kanë të gatshëm gjatë javës mendoj që do të japin më të mirën. Mendoj që do të jetë një spektakël në radhë të parë, për gjithë atë që ka ofruar zoti Demrozi për Rrogozhinën, uroj të jetë një ogur i mirë edhe për ndeshjen. Ajo që i përket të shkuarës është histori, grupi është i fokusuar dhe mendoj që do të hymë në fushë për 3 pikët.
Ndeshja e Korçës tashmë është e kaluar, i kemi analizuar situatat, pastaj ndeshja me Bylisin ishim në komod, morëm një rezultat 1-3 në fushën e tyre dhe pastaj rezultati 2-2 na çoi në gjysmëfinale. Unë e kam specifikuar gjithmonë që çdo lojtar është i rëndësishëm dhe ka rol specifik, kemi mungesa por nuk mund të bëjmë më alibi për këtë pasi gjithmonë kemi pasur mungesa. Unë po kërkoj që ta kem grupin e plotë, por Aleksi, Ndreca, Malota, Lushkja janë mungesa që ndjehen në ekip.
Mendoj kur bën shumë ndryshime, merren parasysh këto, dy ndeshje është një lojtar dhe dy ndeshje një tjetër. Gjithë ekipi duhet të mbrojë. Mendoj që çdo ndeshje ka specifikat e kësaj, kemi Teutën njëherë, fokusi është këtu dhe pastaj do të shohim ndeshje pas ndeshje çfarë do të ndodhë. Është viti i tretë i imi këtu dhe sulmuesit nuk kanë pasur rol vendimtar te golat, golat kanë qenë të shpërndarë, është nga mënyra e lojës, ashtu si Tetova e koncepton. Ejani në stadium kemi nevojë për ju”, u shpreh Tetova.