Ylli Aga foli me nota kritike mbrëmjen e djeshme kundër trajnerit Edi Martini, për gjestin e tij fyes ndaj stafit dinamovit. Gazetari i njohur sportiv fillimisht evidentoi faktin se si gjyqtari Andi Koçi nuk e kishte ndëshkuar me të kuq, por gjithashtu edhe arbitrat që gjendeshin në sistemin VAR.
Aga bëri një paralelizëm me Premier League-n angleze duke përmendur disa nga rregullat bazike të kampionatit më elitar në botë. E megjithatë, theksin e vuri te dënimi që Edi Martini duhej të marrë nga organet kompetente.
“Nëse je një njeri emotiv, duhet të vuash pasojat. Unë mendoj dhe besoj se fatura duhet t’i shkojë në derë. Vetëm në këtë mënyrë, në ndeshjen tjetër do të jetë më i përmbajtur. Besoj se organet kompetente në FSHF do të bëjnë punën e tyre. Nëse jo, i huazoj unë diçka nga Premier League”, u shpreh ai.
