
Partizani ndodhet në një situatë aspak pozitive në kampionat, me “Demat” që mbajnë vendin e parafundit në klasifikim pas 5 javësh. Të kuqtë nuk po arrijnë dot të dalin nga “kriza” dhe 4 pikë deri më tani janë shumë pak për një ekip që pretendon titullin kampion.
Mladen Milinkovic nuk po arrin ende të vendosë ekipin në “shinat” e duhura, duke humbug kështu shumë terren në klasifikim dhe duke zhgënjyer jashtë mase edhe tifozët. Pikërisht këto të fundit tashmë nëpër komente në rrjetet sociale kërkojnë një timonier të ri.
Një prej tyre mesa duket është Dritan Mehmeti. Ky i fundit siç dihet, i ka drejtuar kryeqytetasit edhe në të kaluarën dhe e njeh mjaft mirë ambientin e kuq. 45-vjeçari aktualishtë është i papunë dhe mesa duket është gati për të rimarrë sërish këtë rol te Partizani.
Kjo pasi, timoneri kryeqytetas ka pëlqyer komentin e tifozit, ku sugjerohej emri i tij. Një “sinjal” ky për drejtuesit e kuq në një moment jo të mirë të ekipit.
Ndërkohë vlen të theksohet se aventura e fundit e Mehmetit ishte te Dinamo dhe prej më shumë se 1 viti është pa një ekip. Ndërkohë ka refuzuar gjatë merkatos së verës oferta nga Serie C italiane.