
Superiorja mbylli këtë të shtunë që lamë pas, javën e 20-të të kampionatit. Si çdo javë, Newsport.al ka përzgjedhur më të mirët. Nga porta në sulm, të gjithë në një mënyrë ose tjetër kanë dhënë kontributin e tyre në arritjen e objektivave. Më poshtë njihuni me 11-shen më të mirë si dhe trajnerin fitues.
Aron Jukaj (Vllaznia): Portieri i shkodranëve ishte protagonist absolut në fitoren që Vllaznia arriti 2-1 në Klasiken përballë Tiranës. Me pritjet e tij, 19 vjeçari ishte vendimtar duke ndihmuar ekipin të dalë me 3 pikë nga ajo sfidë.
Erdenis Gurishta (Vllaznia): Mbrojtësi i djathtë i Vllaznisë tregoi karakter në repartin që ai mbuloi. Përveç anës difensive, Gurishta ia doli mjaft mirë që të ndihmonte dhe në repartet e tjera.
Bruno Lulaj (Elbasani): Kapiteni i Elbasanit tashmë është padyshim një pikë kyçe për të tijët. Diçka të tillë po e dëshmon nga ndeshja në ndeshje, ashtu edhe kundër Teutës, sfidë të cilën të tijët e fituan 3-1. Lulaj ishte një lider i vërtetë në mbrojtje.
Aurel Marku (Bylis): Skuadra ballshiote mori një fitore të rëndësishme 2-1 kundër kryesuesve të Dinamos. Marku ishte një nga protagonistët në këtë triumf, ku disa herë ndali sulmin e ‘furishëm’ të dinamovitë të Ilir Dajës.
Alex Peralta (Bylis): Mbrojtësi i majtë i ballshiotëve tregoi vlera të mëdha kundër një Dinamo që e kishte të vështirë përballë tij. Në zonën që ai mbulonte, sulmi i Dinamos e kishte të vështirë të ndërvepronte. Peralta ishte ‘blind’, por edhe ndihmë e madhe në repartet e tjera.
Marin Abazaj (Bylis): Kapiteni i ballshiotëve nuk u tregua lider vetëm me shirit në krah, por edhe në fushën e lojës në mënyrën se si ai drejtonte ekipin. Një protagonist i vërtetë duke ndihmuar si në repartin ofensiv dhe atë difensiv.
Fernando Medeiros (Egnatia): Një rikthim i bujshëm dhe vetë futbollisti pse u cilësua i tillë. Në ‘debutimin’ e tij me rrogozhinasit, Fernando dhuroi asist në fitoren 1-0 përballë Laçit. Një asist që rezultoi deçiziv në një triumf të rëndësishëm për kampionët në fuqi.
Gjelbrim Taipi (Partizani): Fantazisti 32 vjeçar vazhdon të tregojë vlera me fanellën e Partizanit. Edhe pse nuk shënoi apo asistoi përballë Skënderbeut, Taipi ishte një nga pikat kyçe dhe një lider i vërtetë për skuadrën e Partizanit.
Arsen Lleshi (Elbasani): Nuk ka fjalë për të. Sulmuesi i Elbasanit ishte thjeshtë perfekt përballë Teutës. Fitorja 3-1 e verdhebluve, me 3 golat e shënuar pikërisht nga Lleshi, që po tregohet një bomber i vërtetë nga ndeshja në ndeshje.
Ardit Nikaj (Skënderbeu): Sulmuesi i Kombëtares shqiptare U21 u tregua deçiziv dhe i rëndësishëm për skuadrën e tij. Atëherë kur nevojitej, Nikaj shënoi gol, duke i dhënë të tijëve 1 pikë mjaft të vlefshme përballë një skuadër si Partizani.
Bekim Balaj (Vllaznia): Një sulmues klas, me vlera të veçanta. E tregoi mjaft mirë edhe kundër Tiranës në Klasike. Skuadra e tij po humbiste 0-1, por kapiteni shkodran u tregua mjaft i saktë me dy supergola të shënuar, duke dhuruar SHOW në vendlindjen e tij.
Trajner -> Nevil Dede (Bylis): Trajneri i Bylisit arriti të udhëhiqte skuadrën e tij në një fitore të rëndësishme përballë një ekipi si Dinamo dhe trajneri si Ilir Daja. Një 3 pikësh me mjaft vlera, që erdhi si dhuratë në ditëlindjen e tij.
