Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

SUPERIORE

FORMACIONI/ Më të mirët e javës së 2-të të Superiores, lojtarët dhe trajneri fitues (FOTO)

Shkruar nga NEWSPORT
FORMACIONI/ Më të mirët e javës së 2-të të
Formacioni i javes

Mbrëmjen e djeshme, Kategoria Superiore uli “siparin” e javës së dytë të kampionatit. Një javë ku nuk munguan rezultatet befasuese. Si çdo javë, “Newsport” ka përzgjedhur formacionin dhe trajnerin më të mirë.

Mario Dajsinani (Egnatia): Portieri 26-vjeçar bëri një paraqitje të shkëlqyer në barazimin përballë Elbasanit me shifrat 1-1. Në minutën e fundit të takimit, Dajsinani ndali Loukilin nga pika e bardhë duke shmangur humbjen e Egnatias.

Emiljano Musta (Elbasani): Prej kohësh, Musta e ka dëshmuar se është një lider në mbrojtjen e Elbasanit. Këtë gjë, 33-vjeçari e tregoi dhe në ndeshjen e fundit përballë Egnatias.

Naser Aliji (Dinamo): Mbrojtësi i kombëtares shqiptare u shpall lojtari më i mirë i takimit Dinamo-Vllaznia. Me ndërhyrjet e tij dhe përpjekjet e mëdha në repartin difensiv, Aliji kontribuoi në fitoren e kryeqytetasve.

Marcelino Preka (Partizani): Në përballjen e mbyllur pa gola mes Partizanit dhe Teutës, Marcelino Preka mbajti të padepërtueshme mbrojtjen e të kuqve. Një paraqitje e mirë e 22-vjeçarit duke i sjellë një pikë Partizanit.

Henri Zuna (Vora): Në fitoren e madhe të vorakëve përballë Tiranës me shifrat 3-1, Zuna realizoi golin e tretë të Vorës. Në një kundërsulm “vrastar”, anësori i djathtë la mbrojtjen duke përshkuar metra dhe ndëshkoi bardheblutë.

Ledjo Beqja (Dinamo): Mesfushori 24-vjeçar e nisi mbarë rikthimin në Kategorinë Superiore. Beqja bëri një paraqitje tepër të mirë në fitoren e Dinamos përballë Vllaznisë me shifrat 3-1.

Xhoele Maçolli (Teuta): Në përballjen e mbyllur pa gola mes Partizanit dhe Teutës, Maçolli u paraqit tepër mirë. Mesfushori 24-vjeçar kontribuoi edhe në mesfushë edhe në repartin e mbrojtes së durrsakëve.

Ibrahima Diallo (Elbasani): Me kreativitetin dhe shpërthimin e tij në krah, Diallo i hapi vërtet punë mbrojtësve të Egnatias. Në disa raste, sulmuesi anësor dribloi me sukses kundërshtarët e tij.

Erald Maksuti (Flamurtari): Sulmuesi 21-vjeçar udhëhoqi ekipin e Flamurtarit në barazimin 3-3 ndaj Bylisit. Në këtë përballje, Maksuti arriti të gjejë dy herë rrugën e rrjetës.

Walisson Nem (Bylis): Gjithashtu, Walisson ishte më i miri në kampin e ekipit mallakastriot. Sulmuesi brazilian arriti të shënojë dy gola përballë Flamurtarit.

Bernard Karrica (Vora): Paraqitje të shkëlqyer bëri dhe Bernard Karrica për Vorën në fitoren ndaj Tiranës me shifrat 3-1. Sulmuesi 24-vjeçar arriti të mposhtë dy herë Angelo Tafasin në përballjen e zhvilluar në Laç.

Trajneri i Javës/ Arjan Bellai (Vora): Një përgatitje fantastike e titullarëve të Vorës, të cilët morën një fitore ndaj Tiranës me shifrat 3-1. Sigurisht që nuk ishte aspak e lehtë, por trajneri Arjan Bellai i dha instruksionet më të mira “djemve” të tij.

FORMACIONI/ Më të mirët e javës së 2-të të
 

 

Poll

Lexo gjithashtu