“Abissnet Superiore” mbylli edhe javën e 19-të të sajën, me shumë rezultate surprizë dhe ndryshime në renditje. Si në përfundim të çdo jave futbollistike të elitës së futbollit në Shqipëri, edhe për këtë javë, “Newsport.al” ka përzgjedhur formacionin dhe trajnerin më të mirë.
Romeo Harizaj (Vora): Ishte një nga pikat kyçe të ekipit voran, për të mbajtur portën e paprekur përballë Partizanit. Sigurisht që fitorja 1-0 erdhi nga sulmi, por edhe Harizaj bëri mjaft mirë punën e tij, duke mos lejuar që rrjeta e portës që mbronte të prekej.
Faton Neziri (Dinamo): Është kthyer në një nga pikat kyçe të dinamovitëve. Ilir Daja tashmë e vendos atë të “parin”, duke lënë në stol edhe Lorran, një lojtar i cili ka treguar cilësi dhe ka kontribuar në të shkuarën. Megjithatë, Neziri po rritet nga ndeshja në ndeshje, gjë të cilën e tregoi edhe përballë Teutës.
Serjan Repaj (Vora): Qendërmbrojtësi zhvilloi një ndeshje klasi, duke qenë solid në repartin difensiv. Përballë Partizanit luajti mjaft mirë, duke bllokuar çdo sulm të Skukës apo Tomës. Ai gjithashtu u shpall “Lojtari i Ndeshjes”.
Bruno Dita (Dinamo): Një tjetër ndeshje e mirë nga kapiteni dinamovit. Dita është padyshim lideri kryesir jo vetëm i mbrojtjes së Dinamos, por i gjithë ekipit. Përballë Teutës ishte fantastik, duke qenë një nga më të mirët në fushën e lojës, përfshirë këtu lojtarët e të dy ekipeve.
Henri Zuna (Vora): Një ndeshje fantastike nga mbrojtësi i djathtë në fitoren përballë Partizanit. Nga mbrojtja në sulm, Zuna i bëri mjaft mirë të dy repartet, duke ndihmuar sa në tranzicionet negative, por edhe në ato pozitive.
Klinti Qato (Vllaznia): Mesfushori i shkodranëve është një pikë kyçe e 11-shes së Edi Martinit. Diçka të tillë e tregoi më së miri në fitoren 1-0 përballë kampionëve të Egnatias. Ndihmë në të dy repartet dhe pak gabime nga mesfushori.
Rafael (Tirana): Duket se Rafa ka rigjetur veten, duke treguar më të mirën e tij me fanellën e bardhebluve. Ardian Nuhiu i beson dhe diçka të tillë futbollisti po ia shpërblen me performanca të mira. Shënoi golin e vetëm në fitoren 1-0 përballë Bylisit.
Sherif Kallaku (Vllaznia): Një lojtar me tepër klas. Sa herë ai ka topin krijon panik tek kundërshtarët, diçka që u pa qartë edhe përballë Egnatias. Pikërisht në fitoren 1-0 kundër ekipit kampion në fuqi, Kallaku ia doli që të shënonte golin, duke qenë protagonisti kryesor në supersfidën e Shkodrës.
Ibrahima Diallo (Elbasani): Është kthyer në një “yll” për Elbasanin dhe Superioren. Aftësi të jashtëzakonshme dhe shpërthyer sa herë ka topin në këmbë. Në këtë javë futbollistike ndihmoi me gol ekipin e tij, në barazimin përballë Flamurtarit.
Aldrit Oshafi (Flamurtari): Ky është pikërisht ai që iu kundërpërgjigj Diallos së Elbasanit. Sulmuesi shtatlartë zhvilloi një performancë të mirë në “Elbasan Arena”, duke qenë ai që i dha 1 pikë Flamurtarit të tij në barazimin 1-1 kundër “verdhebluve”.
Jurgens Olivera (Teuta): Provoi shumë, por ishte i pafat ndaj Dinamos. Një lojtart që vertikalizon, vrapon, driblon dhe godet. Por kundër Dinamos nuk ia doli që të shënonte edhe pse disa herë iu afrua shumë golin. Megjithatë, në atë barazim 0-0 ai u shpall “Lojtari i Ndeshjes” për grintën dhe dinamikat që krijonte.
Trajner: Arjan Bellai (Vora): Kishte organizuar mjaft mirë ekipin. Ai ka ringjallur kështu shpresat që seriozisht Vora mund të mbijetojë në Superioren, duke treguar se klasi nuk mungon. Një sfidë mjaft e mirë përballë Partizanit, duke marrë edhe një fitore 1-0 në fundin e sfidës.
