Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

SUPERIORE

FORMACIONI/ Më të mirët e javës së 15-të të Superiores, lojtarët dhe trajneri fitues

Shkruar nga NEWSPORT
FORMACIONI/ Më të mirët e javës së 15-të të
Formacioni i javes

Ditën e djeshme është mbyllur java e 15-të e Superiores. Ndeshjet e fundit ishin Elbasani - Vllaznia  (1-0), Flamurtari – Dinamo  (3-0) dhe Egnatia – Vora (2-0). Ndërkohë ditën e dielë u zhvilluan Tirana – Partizani (2-0) dhe Bylis – Teuta (1-1). Pas përfundimit të kësaj jave, “Newsport.al” ju sjell formacionin dhe trajnerin më të mirë. Një formacion 4-2-3-1, teksa trajner i kësaj jave është zgjedhur Oltijon Kërnaja.

Mario DAJSINANI (Egnatia): Një nga protagonistët e fitores së Egnatias ndaj Vorës përveç Albanese dhe Ndrecës, ishte edhe Dajsinani. Gardiani mbajti të paprekur portën ndaj ekipit të Arian Bellsait, duke treguar se jo më kot është edhe pjesë e Kombëtares shqiptare.

Edison NDRECA (Egnatia): Jo më kot është zgjedhur në formacionin më të mirët të javës. Mbrojtësi shënoi golin e dytë për të tijtë, duke vulosur kështu edhe fitoren. Bën gjithçka siç duhet në prapavijë, ndërsa sa herë del në sulm është mjaft i rrezikshëm me krosimet dhe pasimet e tij.

Arbenit XHEMAJLI (Egnatia): Bëhet futbollisti i 3-të nga Egnatia që është pjesë e 11-shen më të mirët të javës së 15-të. Kjo tregon se mbrojtja rrogozhinasve ishte në lartësinë e duhur ndaj Vorës, të cilët nuk mundën aspak të depertonin. Ishte fantastik në mbulimin e sulmuesve kundërshjtarë dhe jepte një siguri të shtuar në fazën mbrojtësi. Ishte si një “mur” para Dajsinanit.

Ledio BEQJA (Dinamo City): Ilir Daja është me shumë fat që ka në skuadër një futbollist si Beqja. Mbrojtësi bëri çdo gjë në perfeksion në derbi ndaj Flamurtarit. Vendosi “veton” për sulmuesit e kuqezinjve, të cilët ishin si në një “kafaz”.

Albion MARKU (Partizani): Lojtar që mund të neutralizojë çdo kundërshtarë dhe në derbin ndaj Tiranës bëri gjithçka siç duhet. Sakrifikon shumë për ekipin dhe i jep shumë besim të tijve. Bllokon çdo aksion të bardhebluve, ndërsa është mjaft i qetë me topin në këmbë.

Isi MANELLARI (Elbasani): Mesfushori po tregon nga ndeshja në ndeshje që është një pikë kyçe për ekipin e Gvozdenovic. Si në aspektin mbrojtës dhe atë ofensvi bëri mjaft mirë edhe në fitoren 1-0 përballë Vllaznisë në “Elbasan Arena”.

Redon ISMAILI (Partizani): U shpall “Lojtari i Ndeshjes” në derbi dhe jo më kot. Kur u transferua u cilësua si “Barella i Kosovës”. Ende s’mund të ketë arritur nivelin e italianit, por është në rrugën e duhur për t’u bërë yll në Superiore.

Faton NEZIRI (Dinamo): Fantastik në krahun e majtë përballë Flamurtarit. Nga mbrojtja në sulm, ai vrapoi pafund duke marrë edhe lëvdatat e trajnerit Ilir Daja. Duket se ka “blinduar” vendin e titullarit me paraqitjet e tij që vijnë në rritje.

Blaise TSAGUE (Elbasani): Një bomber i vërtetë për Elbasanin. Sa herë mungon ai, verdheblutë e kanë të vështirë të shkojnë te goli. Shënoi një eurogol përballë Vllaznisë, duke i siguruar kreun të tijëve të paktën edhe për 1 javë tjetër.

Rowan HUMAN (Partizani): Një element kyç në ekipin e Oltijon Kërnajës. Gjeti golin në derbin përballë Tiranës, teksa bëri mirë në të dy fazat e lojës. Një lojtar që po tregon cilësi të një niveli të lartë, duke u kthyer në njëfarë lideri tek të kuqtë.

Ibrahim MUSTAPHA (Bylis): Tepër i rëndësishëm për sulmin e ballshiotëve. Mirel Josa i beson fanellën e titullarit dhe ai ia shpërblen me lojë të mirë. Gol i rëndësishëm në barazimin që Bylis arriti me shifrat 1-1 përballë Teutës.

TrajneriL Oltion KËRNAJA (PARTIZANI): Riktheu pas disa derbesh Partizanin te fitorja. Kishte përgatitur ekipin për një ndeshje fantastike, ndërsa bëri që ekipi rival i të kuqve, Tirana të duket shumë e vogël përballë “Demave” të tij. Kërnaja duket se ka “gjetur çelësin” se si të rikthejë Partizanin te rezultatet pozitive. Ka ditur të reagojë me zëvendësimet e lojtarëve, duke i dhënë tjetër impuls kryeqytetasve në fushë. Padyshim që një pjesë e suksesit te Partizani është edhe falë stafit teknik dhe veçanërisht trajnerit Kërnaja, që ua frua vetëm disa javë më parë.

FORMACIONI MË I MIRË I JAVËS 15-të: Dajsinani, Ndreca, Xhemajli, Beqja, A.Marku, Manellari, Ismaili, Human, Tsague, Neziri, Mustapha. Trajner: Oltijon Kërnaja

Poll

Lexo gjithashtu