Pasditen e djeshme është mbyllur java e 13-të e “Abissnet Superiore”. Ndeshjet e fundit ishin Laçi – Elbasani (1-1) dhe Tirana – Bylis (4-0). Pas përfundimit të kësaj jave, “Newsport.al” ju sjell formacionin dhe trajnerin më të mirë.
Mario Dajsinani (Laçi): Vendimtar me pritjen e penalltisë të goditur nga Ze Gomes. Disa ndërhyrje deçizive që i dhanë ekipit të tij një pikë të vlefshme përballë një kundërshtari si Elbasani.
Florian Përgjoni (Tirana): Kapiteni i bardhebluve bëri një paraqitje mjaft solide në mbrojtje. Edhe pse sapo ishte kthyer nga dëmtimi dhe për të ishte debutim në këtë sezon të ri, kapiteni dha maksimumin në fitoren 4-0 kudnër Bylisit, duke ndihmuar ekipin të mos pësonte gol.
Edison Kola (Tirana): Ashtu si kapiteni Përgjoni edhe Kola ishte mjaft i saktë në qendrën e mbrojtjes. Mbrojtësi bardheblu përveçse ishte i saktë në fazën difensive, shpeshherë filtronte topa mjaft të bukur në mefushë, duke nisur aksione të rrezikshme.
Marcelino Preka (Partizani): Edhe pse Partizani e pësoi një gol kundër Dinamos, Preka ishte shpeshherë deçiziv. Ai nuk lejoi që Bregu të shënonte në një rast mjaft të rrezikshëm në zonën e kuqe. Gjithashtu, loja e tij difensive bëri që Dinamo ta kishte të vështirë të arrinte te porta e Qirkos.
Agan Mjaki (Laçi): Mbrojtësi i djathtë i kurbinasve është kthyer në një bomber. Përveç se ndihmon shumë në rolin e tij, pra në atë të mbrojtjes, Mjaki tashmë shënon edhe gola. Ai shënoi golin për të tijët në ndeshjen që përfundoi 1-1 kundër Elbasanit.
Regi Lushkja (Egnatia): Mesfushori i rrogozhinasve ishte deçiziv në pjesën e parë kundër Vllaznisë. Ai shënoi golin e vetëm për të tijët, teksa kishte një performancë mjaft pozitive.
Matias Lloci (Teuta): Mesfushori i Teutës është kthyer në një pikë kyçe për 11-shen durrsake. Ai vazhdon që me paraqitjet e tij të jetë mjaft i rrezikshëm në aspektin ofensiv, por shpeshherë ndihmon dhe mbrojtjen. Një paraqitje solide në barazimin kundër Skënderbeut.
Arinaldo Rrapaj (Partizani): Mesfushori i kuq duket se këtë sezon është i pandalshëm. Përveç lojës mjaft të mirë, Rrapaj e vulosi performancën e tij me një gol mjaft të rëndësishëm, i cili rezultoi i fitores në derbin kundër Dinamos.
Kevin Dodaj (Vllaznia): Talenti është kthyer në një lojtar mjaft të rëndësishëm për formacionin e kuqebluve. Përsëri ia doli që të shënonte, duke i dhënë Vllaznisë një pikë të rëndësishmë në transfertën e Rrogozhinës përballë kampionëve në fuqi të Egnatias.
Tedi Cara (Partizani): Kapiteni i “Demave” gjeti rrugën e rrjetës në derbin kundër Dinamos. Por nuk ishte vetëm goli gjëja e mirë për të, pasi performanca e nivelit të lartë vendosi shpeshherë në vështirësi mbrojtjen dinamovite.
"Lojtari i Javës" -> Walid Jarmouni (Tirana): Sulmuesi francez i bëri siç duhet detyrat e tij në fitoren 4-0 kundër Bylisit. Edhe pse humbi një shans të artë, Jarmouni ia doli që të shënonte dy gola mjaft të rëndësishëm që rrit skuadrën në renditje dhe anën psikologjike.
Trajneri -> Aleksandar Veselinovic (Partizani): Trajneri i Partizanit tregoi forcën e ekipit të tij. Ai ia doli që t’i shkaktonte disfatën e parë Ilir Dajës në betejën e të pamposhturve. Tashmë është vetëm tekniku i “Demave” që e mban epitetin i pamposhtur.