
Mesditën e sotme është hedhur shorti për finalet e “Final – Four”. Kështu llogaritë e gjysmëfinales do të bëhen mes Egnatia – Partizani dhe Vllaznia – Dinamo. Të 4 ekipet do të luftojnë mes tyre për 2 biletat e finales së madhe.
Sfidë me vendimtare e sezonit do të luhet më 12 maj në “Arenën Kombëtare”. Pavarësisht se ende nuk dihet se cilat skuadra do të sfidohen mes tyre, FSHF-ja ka vendosur për arbitrin që do t’i besojë këtë finale.
Kështu Armand Duka pas hedhjes së shortit ka theksuar se një polak do të vendosë drejtësi. Saktësisht do të jetë Szymon Marciniak. Një mënyrë kjo për të shuar çdo dyshim mbi arbitrat, pavarësisht se Duka në fjalën e tij vlerësoi maksimalisht arbitrat shqiptarë.
“Ne kemi zgjedhur një nga arbitrat më të mirë të globit, polakun Szymon Marciniak për të pasur sa më pak aludime për fituesin në finalen e madhe”, ka theksuar Duka.
Kujtojmë se arbitri polak është i njohur për sfidën e sezonit të kaluar në Champions League mes Real Madrid - Bayern Munich. Ai u kryqëzua për shkak të një goli që u anuloi bavarezëve, takim që u fitua nga madrilenët me shifrat 2-1.