
Tirana siguroi kualifikimin në Europë, por ende nuk ka nisur puna për forcimin e skuadrës për pjesamrrjen në kompeticionet europiane. Një nga dilemat e mëdha është stoli i bardhebluve.
Erbim Fagu ende nuk e ka të qartë të ardhmen e tij, me timonierin që pret vendimin e klubit. Refik Halili në ditët e ardhshme duhet të vendosë për trajnerin në mënyrë që të nisë puna për ndërtimin e skuadrës.
Pavarësisht se ende nuk ka një vendim sa i takon Fagut, në skenë ka dalë një emër i njohur për stolin e bardhebluve. Bëhet fjalë për ish-trajnerin e Partizanit, Shpëtim Duro.
Ky i fundit është një nga kandidatët që mund të zëvendësojë Fagun nëse ky i fundit ndan rrugët me kryeqytetasit. Nuk mungon as emri i Mirel Josës. Ditë vendimtare do të jenë në familjen bardheblutë, ku do të vendoset se kush dhe çfarë do të ndodhë me ekipin. Kujtojmë se Fagu e drejtori Tiranën në 12 ndeshje, ku ka mundur të marrë 16 pikë.