Tirana do të luajë të dielën përballë Elbasanit, ndeshjen përmbyllëse të këtij sezoni në kuadër të javës së 36-të të Abissnet Superiore. Në stadiumin "Elbasan Arena", bardheblutë do tentojnë të marrin maksimumin për të "hipotekuar" edhe matematikisht qëndrimin në elitë, pas fitores në klasiken ndaj Vllaznisë që u arrit në shifrat minimale 1-0.
Bardheblutë e drejtuar nga trajneri Orges Shehi janë besimplotë se dhe nga kjo transfertë do të dalin me rezultat pozitiv, por ata duhet të "maten" mirë dhe me statistikat në përplasjet direkte. Asnjë fitore e arritur këtë sezon dhe vetëm një barazim ndaj verdhebluve, e bëjnë "objektivin" tre pikësh, sa sfidues po aq edhe të vështirë, por jo të pamundur.
Rezultatet e skuadrës së Ivan Gvozdenovic mund të jenë një "shkak" që sjellë buzëqeshje në kampin e kryeqytetasve, të cilët duan të shfrytëzojnë këtë oshilacion të kryesuesve për ta mbyllur me "dinjitet" një sezon me shumë "rrëshqitje".
