Elbasani e ka treguar më së miri se çfarë do të thotë rivalitet për titullin kampion në Abissnet Superiore. Të gjendur në vendin e parë të renditjes me 2 pikë më shumë se Vllaznia, skuadra e Ivan Gvozdenovic është padyshim një "emër" për t'u patur "frikë" këtë edicion.
Padyshim, një prej meritorëve që ka dhënë shkëndija të forta në 11-shen e trajnerit serb është dhe mesfushori Abbas Ibrahim, i cili së fundmi ka zgjatur marrëdhënien e bashkëpunimit me verdheblutë deri në verën e vitit 2027.
Njoftimin e ka bërë vetë faqja zyrtare e klubit, ku Ibrahim shfaqet në segmente të ndryshme fotosh dhe me një vështrim që përcjell ambicie dhe vendosmëri për t'i shkuar deri në fund objektivit për t'u shpallur kampion.
Edhe pse goli i tij ka munguar, paraqitjet e nigerianit mjaftojnë që ai të fiksohet tek emrat e preferuar të Gvozdenovic. Një arsye më shumë për elbasanasit që të shkojnë me energjinë e duhur për ndeshjen në transfertë përballë Vorës.
