
Tirana dhe Partizani do të përballen këtë të diel për të luajtur supersfidën e vlefshme për javën e 15-të të Superiores. Derbi i kryeqytetit që do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania”, nis në orën 19:00.
Në prag të kësaj sfide ka folur dhe një ish i kuq si Ertan Demiri. Ish-i i Partizanit, i cili ka provuar shijen e golit në derbi flet për ndjesitë e atij momenti. Ndër të tjera Demiri nuk harron dot "Ultras Guerrils", teksa mendon se Tirana po konsolidohet me Gugash Maganin.
Derbi Tirana – Partizani, çfarë kujtimesh keni nga kjo supersfidë?
Çdoherë i kujtoj me shumë nostalgji dhe njëkohësisht krenari ato ndeshje. Veçanërisht derbin e parë ku edhe shënova golin e fitores, ishte i veçantë për shum arsye! Pas 4 ose 5 viteve Partizani kthehej në Superiore dhe i ishte derbi im i parë.
Ju keni shënuar gol në derbi kundër Tiranës, mund të na i përshkruani ndjesitë?
Para se të shkoja tek Partizani pata dëgjuar se në Shqipëri flitet ose luhet vetëm një derbi. Por pasi e shijova atë ndeshje me tribuna të stërmbushura nga tifozët e Partizanit gjerësisht nga Ultras Guerrislat për të cilët kam respekt të veçantë dhe jam mirënjohës për përkrahjen që ma patën dhënë gjatë periudhës që isha pjesë e Partizanit. Nuk do I harroj kurrë.
Të dielën një tjetër përplasje për ngjyrat e kryeqytetit, cili ekip mendon se triumfon dhe pse?
Në derbi asnjëherë nuk dihet para kohe se kush fiton sepse mund të ndodhë gjithçka, por realisht Partizani ka ekip më të mirë. Por me ardhjen e profesor Maganit, Tirana ngadalë po konsolidohet.
Një mesazh për tifozët e Partizanit, “Ultras Guerrils"?
Siç e thashë edhe më lart ato do jenë gjithmonë në zemrën time për gjithçka çka kanë bërë për mua. Asnjëherë nuk do ta harroj festën e tyre në derbin kur shënova golin. Për mua janë një ndër tifozërit më të mrekullueshme që kam hasur gjatë karrierës sime dhe ju dëshiroj shum gëzime e tituj me skuadrën e Partizanit. /Nikoll RAJTA/