
Egnatia do t’i japë start sezonit të ri të Superiores ditën e dielë në orën 20:00 teksa sfidon në transfertën e “Elbasan Arena”, Dinamon. Rrogozhinasit vijnë me petkun e kampionit dhe do të tentojnë të ruajnë fronin për të vijuar epokën e tyre të artë.
Ashtu siç ishte premtuar nga presidenti Agim Demrozi, Edlir Tetova do të rinovojë kontratën me Egnatian. Burime të sigurta pranë klubit kampion bëjnë me dije për Newsport.al se drejtuesit kanë arritur marrëveshjen për 3 vitet e ardhshme, pra deri në 2027.
Tekniku 41-vjeçar do të vijojë rrugëtimin e tij me rrogozhinasit të cilët i ka drejtuar për plot 85 ndeshje ku regjistron 39 fitore, 23 barazime dhe humbje me 118 gola të shënuar e 84 të pësuar. Tetova ia doli të udhëhiqte Egnatian drejt 3 trofeve madhor si 2 Kupa dhe 1 titull kampion.