Ndeshja e së dielës përballë Bylisit do të jetë një "finale" më vete pë Vorën e cila luan shanset e fundit të qëndrimit në Abissnet Superiore. Me sfidën e përcaktuar për t'u zhvilluar në stadiumin "FK VORA" në orën 16:00, vorakët presin një 90 minutësh ku do tentohet maksimumi i pikëve.
Në prag të kësaj përballje vendimtare për fatet e sezonit, ka folur ekskluzivisht për Newsport mesfushori i Vorës, Klaus Kashari.
Klaus, përballë Bylisit luani ndeshjen më të rëndësishme të sezonit. Sa ndikon faktori fushë dhe si po përgatitet ekipi për këtë duel vendimtar?
"Po e përgatisim shumë mirë ndeshjen, me përqëndrim maksimal gjatë gjithë javës. Kemi fatin që luajmë në Vorë dhe besoj se fusha jonë mund të na japë një shtysë ekstra në një ndeshje kaq të rëndësishme."
Morët një pikë ndaj Dinamos dhe tani përballeni direkt me rivalin për mbijetesën. Si po i bëni llogaritë në kampin e Vorës për këtë fund sezoni?
"Pika ndaj Dinamos ishte shumë e rëndësishme për moralin dhe vazhdimësinë tonë. Tani të dielën do të hyjmë në fushë vetëm për fitore, sepse e dimë sa vlen kjo ndeshje për objektivin tonë dhe për mbijetesën."
Tani që po mbyllet ky sezon, si po përjetohet te skuadra juaj? Nëse gjithçka do të vendosej në play-out, a mendoni se Vora ka eksperiencën e duhur për ta siguruar mbijetesën? Ndonjë preferencë mes Pogradecit dhe Besës?
"Skuadra është e bashkuar dhe e motivuar në këtë fund sezoni. Shpresojmë dhe do të luftojmë deri në fund që të mos shkojmë në play-out, por edhe nëse gjithçka vendoset aty, për ne nuk ka shumë ndryshim kundër kujt luajmë. Do të japim maksimumin ndaj çdo kundërshtari."
E ardhmja e Kasharit, a ndryshon nëse Vora qëndron ose jo në Superiore?
"E ardhmja në futboll është e paparashikueshme, por mund të them që do të vazhdoj të jem pjesë e Vorës." /Ermal SPAHIU/
