Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

SUPERIORE

EKSKLUZIVE/ “Kam mësuar shumë nga Ilir Daja, te Dinamo s’mungon motivimi”, Bekim Maliqi analizon Superioren: Final Four? E njëjta 4-she si sezonin e shkuar

Shkruar nga Nikoll Rajta
EKSKLUZIVE/ “Kam mësuar shumë nga Ilir Daja, te Dinamo
Bakim Maliqi

Dinamo po kalon një moment mjaft të mirë. Ekipi i Ilir Dajës mori një fitore fantastike 3-1 përballë Vllaznisë të dielën, në sfidën e vlefshme për javën e 2-të të Superiores. Ndërkohë që më 13 shtator do të përballet me Elbasanin, në kuadër të javës së 3-të.

Ndërkohë që për situatën tek dinamovitët, fitoren me Vllazninë, por edhe sfidën me Elbasanin ka folur futbollisti i kryeqytetasve, Bekim Maliqi. Në një intervistë të dhënë për “Newsport.al”, anësori 24-vjeçar ndalet edhe tek objektivat e tij.

Edhe pse, pas një ndeshje të lodhshme me Jagiellonian, gjithçka me Vllazninë shkoi mirë. Çfarë ndikoi më së shumti përballë shkodranëve?

Po, edhe pse po vinim nga një ndeshje me ritëm shumë të lartë dhe kundërshtar të fortë, ishim të motivuar për ndeshjen sepse për ne ishte starti i kampionatit. Tek Dinamo, motivi nuk mund të mungojë te asnjë lojtar për arsye të profesionalizmit që ka klubi. Edhe pse ritmi i Europës normalisht na ka ndihmuar si ekip dhe lojtarëve personalisht, merita kryesore mendoj që ishte stafi dhe taktika, besoj që ishte edhe e dukshme.

Si jeni përgatitur për ndeshjen me Elbasanin, keni ndonjë “armë” sekrete duke ditur që kundërshtari ka bërë mirë deri më tani?

Jemi në pushime, e kishim një mini-premio nga profesori pas të gjitha këtyre ngarkesave të ndeshjeve dhe udhëtimeve, që të kalojmë pak kohë me familjen dhe pastaj të kthehemi për t’u përgatitur për ndeshjen me Elbasanin.

Sa larg mendoni se do të shkojë kjo Dinamo, sa janë shanset për tu shpallur kampion?

Do t’i marrim ndeshjet një nga një. Është sezoni i ri, e kaluara iku. Kemi bërë një rrugëtim shumë të mirë dhe e kemi pasur më të vështirë, sepse nuk kemi pasur një shans të dytë në Europë. Kanë ardhur lojtarë të rinj dhe profesori, dita-ditës, po i ndihmon që të futen në manovrat e skuadrës, dhe ne i ndihmojmë në pjesën tjetër për frymën e grupit.

Cilin prej ekipeve në Superiore shihni si rivalin më të fortë në luftën për titull?

Është vetëm fillimi i sezonit. Mendoj se është një kampionat më i balancuar këtë vit. Të them të drejtën, nga pak që kam mundur t’i ndjek, shoh përsëri katërshen e njëjtë.

Objektivi personal i juaj?

Kam punuar shumë fort, si vetë ashtu edhe profesori me mua. Kam kuptuar dhe mësuar shumë nga profesori (Ilir Daja) dhe mendoj që këtë sezon do të jem në gjendje ta ndihmoj skuadrën edhe më shumë se sezonin e kaluar. Nga e gjitha kjo, e ndiej që këtë sezon do ta ndihmoj skuadrën edhe me gola dhe asiste.

Poll

Lexo gjithashtu