
Në këtë mori lajmesh dhe zhvillimesh, Tirana përbën gjithmonë interes kur përmendet. Pas emërimit të Bledi Shkëmbit në krye të pankinës bardheblu, lëvizje të shumta priten edhe në pjesën tjetër të stafit teknik. Burime të besueshme tregojnë për Neësport.al që ish mesfushori pritet të marrë ndihmës të tij një ish shok ekipi.
Bëhet fjalë për Sabien Lilajn, i cili ka pohuar se është në bisedime me drejtuesit e Tiranës. Të dy së bashku pjesë e Skënderbeut të artë, tashmë kanë mundësinë të rikthejnë ekipin më të titulluar në Shqipëri në piedestal. I kontaktuar nga Neësport.al, trajneri i Dinamos U16 deklaroi:
“Jam në bisedime me klubin e Tiranës dhe do të ulemi të flasim. Bledi Shkëmbin e kam shok të vjetër, dhe sigurisht që nuk do të refuzoja të punoja me të. Tirana ka vështirësi, por sigurisht që mund të bëjë ekip”, tha Lilaj.
