
Edon Hasani është nga ata futbollistë që zor se i sheh diku tjetër veç Superiores. Vetëm në raste të veçanta mund të luajnë në divizione më të ulëta, një rast i veçantë pikërisht si ai i Elbasanit. Mesfushori i njohur vendosi të sakrifikonte një vit në Kategorinë e Parë për të rikthyer verdheblutë aty ku e meritojnë, në elitën e futbollit shqiptar.
Dhe, ia doli. Elbasani do të luaj në Superiore sezonin e ardhshëm si fitues i Kategorisë së Parë. Klubi ka nisur prej muajsh punën për të ndërtuar një skuadër konkuruese dhe deri tani kanë afruar disa emra të rëndësishëm si Bruno Lulaj.
Sezoni tjetër do të jetë totalisht ndryshe pasi niveli është shumë herë më i lartë dhe drejtuesit duan lojtarë kualitativ. I tillë është edhe 32-vjeçari shkodran i cili në 32 ndeshje këtë sezon u përfshi në plot 15 gola të shënuar, 5 në autorësinë e tij dhe 10 të dhuruara për shokët. Vetëm 1 ndeshje ka munguar Hasani, edhe atë për shkak të një kartoni të kuq.
Dëshira e të dy palëve është mjaft e qartë, secili dëshiron të zgjasë bashkëpunimin. Burime pranë klubit bëjnë me dije për Newsport.al se për momentin tratativat kanë ngrirë në aspektin financiar. Mbetet ende një hendek për t’u zgjidhur për pagën e lojtarit, por mbetet të shihet se ç’do të ndodhë në ditët në vazhdim.