Superiorja rikthehet shumë shpejt në aktivitet. Java e 15-të e kampionatit do të luhet e ndarë në 2 ditë, saktësisht të dielën dhe të hënën.
Në program janë 5 takime mjaft interesante dhe këtë javë pritet të jetë gjithçka spektakël. Kjo pasi do të shikojmë përballje mes ekipeve të kreut dhe më pas kemi dhe derbin e kryeqytetit.
Kështu ditën e dielë do të luhen 2 sfida. Në orën 13:30 do të përballen Bylis – Teuta, ndërsa gjithçka do të marrë vëmendjen në mbrëmje, kur Tirana dhe Partizani do të sfidohen në derbin e dytë të këtij sezoni. Sfidë kjo e cila do të luhet në orën 18:00 në “Air Albania”.
Ndërkohë ditën e hënën do të zhvillohen ndeshjet e tjera. Në orën 16:00 do të luhet Egnatia – Vora në “Egnatia Arena”, ndërsa në orën 19:00 paralelisht vëmendja do të jetë në Elbasan dhe Vlorë.
Në “Elbasan Arena” do të sfidohen Elbasani dhe Vllaznia, dueli i kryesuesve, teksa në stadiumin “Flamurtari” do të vihen përballë Flamurtari dhe Dinamo.
