
I ftuar në emisionin "Skaner" nga Gerti Çarçani, Pano Xhixho ka bërë një analizë të përgjithshme të 3 fazave të Superiores, teksa është ndalur tek ekipet e "Final 4".
Xhixho është shprehur se Egnatia ka rritje të ndjeshme në kohët e fundit, teksa për Dinamon thotë se është rikthyer aty ku e meriton, në vendin e dytë në tabelën e renditjes.
Ndër të tjera, Pano Xhixho thotë se Vllaznia është penalizuar nga dëmtimet, të cilat i kanë sjellë mungesa të shumta. Ndërsa për oshilacionet e Partizanit, Xhixho thotë se kjo ka ardhur për shkak të ndryshimit të lojtarëve dhe skemave.
“Nëse flasim për skuadrat që janë në “Final 4”, Egnatia ka ardhur në rritje. Edhe konsolidimi i skuadrës, edhe merkato e dimrit. Dinamo e mbylli si kampione dimri pati oshilacion në fazën e fundit, por dy fitoret radhazi e kthyen Dinamon aty ku duhej të ishte. Vllaznia duke pasur turbulencën, ka pasur goxha dëmtime dhe probleme me mungesa lojtarësh. Kohët e fundit me ndryshime lojtarësh dhe skeme, kanë sjellë rënie te Partizani, rënie pikësh. Ajo fitore morali në Kupë për Partizanin, duke kaluar një skuadër në formë si Laçi, nuk është reflektuar si duhej në kampionat”, ishte analiza e përgjithshme e Pano Xhixhos.