
Ish-trajneri i njohur, Sulejman Starova ka folur së fundmi për Superioren. Në një intervistë të dhënë për “News24”, Starova shprehet se Egnatia është favorite kryesore për titullin kampion dhe se po ecën me hapa galopantë.
Megjithatë, ai thekson se ende nuk e ka siguruar kampionatin. Në krahun tjetër, Starova është ndalur për të folur edhe për Partizanin, për të cilët thotë se kanë kohë që të rikuperojnë pikët e lëna dhe se hapat fals i lejohen pasi ka siguruar katërshen.
A mund të quhet e mbyllur gara për “final four” a mendon se këto 4 ekipe do të luftojnë për titull, pret ndonjë surprizë deri në fund?
Përderisa matematika na lejon, përse jo. Kuptohet që ka ekipe që kanë krijuar distancë. Lufta është për dy vendet e para. Kurioziteti është kush do dali në finale e kush do ta marri. Bukurinë e Superligës e shton edhe rivaliteti për mbijetesën.
Mes 4 ekipeve të para, kë sheh favorit Starova, cili është ekipi më i kompletuar në këndvështrimin tënd?
Egnatia bën dallim me tjerat, po ecën me hapa galopant. Do dalloja Laçin, nga një gjendje që ishte, tani është përmirësuar.
A mendon se Partizani u dorëzua, ose bëri autogol me shitjen e 4 titullarëve, lojtarëve më të mirë që kishin, a e nxorrën nga gara për titull këto lëvizje?
Absolutisht jo, le të themi që e ka siguruar katërshën dhe mund të bëjë hapa fals. Largimi i 4 titullarëve nuk janë pak, është gjysma e skuadrës. Lojtarët që ikën kanë qenë kryesorë. Ka ende kohë për të shkuar te gjysmëfinalja apo finalja. Partizani ka ende kohë.
Mes Dinamos dhe Vllaznisë, kë sheh më lart Starova?
Nuk bëj diferencën. Vllaznia ka përfituar nga mungesat që ka patur, ekipi është i plotë. Dinamo ka ecur mirë. Lufta është për vendin e dytë. Futbolli është i paparashikueshëm, çdo gjë mund të ndodhë.
Vllaznia dhe Dinamo kanë bërë mirë. Ka ndonjë gjë që u mungon për të synuar titullin kampion, apo u mjafton prezenca në Europë…
Objektivi i “Final Four” pothuajse është arritur, kjo është diçka pozitive. Nuk përjashtohet mundësia për të dalë kampion.
Kush mund të ndalë Egnatian?
Skuadra po bën mirë. Nuk mund të themi që ka siguruar kampionatin. Nuk përjashtohet mundësia që ekipet e tjera të rrisin nivelin dhe të bëhen konkurrent.
Në këtë sezon befasia e madhe është Tirana, a rrezikon realisht Starova, e sheh të rrezikuar Tiranën?
Tirana, Skënderbeu, Bylis e Teuta luftojnë për të evituar rënien apo Play Off. Fitorja e Tiranës është morale, përfiton nga momenti që i rikthehen disa lojtarë. Gjithmonë rreziku është evident.
Kë skuadër shikon më të rrezikuar?
Renditja, klasifikimi i tregon gjërat. Skënderbeu është në vështirësi, por ka ekip që mund të pretendojë që të marrë fitore në vazhdim. Do vazhdojë deri në fund kjo garë. Gjatë kampionatit kemi parë ndeshje të mira të Bylisit dhe Skënderbeut, pa harruar Tiranën dhe Teutën.