Egnatia dhe Elbasani nuk shkuan më shumë se barazimi 2-2 mes tyre në duelin “kokë më kokë” për kreun e klasifikimit. Një barazim i cili padiksutim nuk ka kaluar pa polemika dhe gjithçka lidhet me sistemin VAR.
Kampionët në fuqi “iu falën” VAR-it, i cili akordoi 2 penallti, të cilët gjyqtari kryesorë në fushën e lojës nuk i vuri re. Kjo i dha mundësinë që rrogozhinasit të shënonin me Fernando Medeiros në të dyja rastet dhe të barazonin shifrat nga 0-2 në 2-2.
E diçka e tillë padiskutim që ka “irrituar” dhe mërzitur skuadrën e Elbasanit. Saktësisht pas kësaj sfide nëpërmjet një postimi në “Insta-Story” ka reaguar Elton Guranjaku. Dejtori sportiv i Elbasanit ka bërë ironi, duke përdorur shprehjen “ska vari varin këtë javë”, një thumb i drejtpërdrejtë ndaj deklaratës së bërë pak ditë më parë nga drejtori i rrogozhinasve, Klejdi Zenelaj.
Por drejtori sportiv i verdhebluve nuk ndalet me kaq, pasi ka publikuar edhe disa pika nga rregullorja për penalltinë, ndërsa ka postuar edhe një foto nga rasti i penalltisë së dytë të dhënë në favor të vendasve.
Sipas pretendimeve, Olberkis fillimisht ka pasur kontakt me këmbë dhe vetëm më pas topi ka prekur dorën, situatë që sipas rregullores nuk duhet të ndëshkohet me 11-metërsh.
